Është arrestuar në Tiranë Artur Sallaku, 52 vjeç, i cili akuzohet se është pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, i dënuar në Itali, me 21 vjet burgim.
“Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, me homologët italianë, policinë e Casertës, Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar te Policisë, për kapjen e një shtetasi shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për llogari të Italisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 30”, u kap në Tiranë dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Artur Sallaku, 52 vjeç, i lindur në Tiranë”, tha policia.
Gjykata e Santa Maria Capua Vetere, në vitin 2004, e ka dënuar këtë shtetas, me 21 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.