Pas Elon Musk, edhe Steve Banon bën përshëndetjen naziste! Bardella heq dorë nga fjalimi

spot_img

Vetëm disa javë pasi Elon Musk u akuzua se bëri një përshëndetje të stilit nazist në një ngjarje që festonte presidencën e Donald Trump, Steve Bannon, ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë e ka gjetur veten të përfshirë në një polemikë të ngjashme.

Bannon, një arkitekt kryesor i fitores së Trump në 2016 dhe një mbështetës i zëshëm i lëvizjes MAGA, doli në skenë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) të enjten, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë në të cilin i kërkoi Trump të bëhej “President i përjetshëm”.

Teksa u bënte thirrje me pasion konservatorëve të “luftonin” dhe “të mos dorëzoheshin kurrë”, ai ngriti krahun e djathtë në një lëvizje që kritikët pretendojnë se ka një ngjashmëri shqetësuese me përshëndetjen naziste.

Ndërkohë, udhëheqësi i ekstremit të djathtë të Francës, Jordan Bardella, tha të premten se kishte anuluar fjalimin e tij në një takim të krahut të djathtë në Uashington pas një “gjesti që aludonte në ideologjinë naziste” nga Steve Bannon.

“Unë isha ftuar… për të mbajtur një fjalim mbi lidhjet midis Shteteve të Bashkuara dhe Francës, si dhe dinamikën e fundit elektorale të partive patriotike në Evropë”, tha Bardella në një deklaratë.

“Dje, ndërsa nuk isha i pranishëm në sallë, një nga folësit për shkak të provokimit i lejoi vetes një gjest që aludonte për ideologjinë naziste. Prandaj mora vendimin e menjëhershëm për të anuluar fjalimin tim që ishte caktuar sot pasdite,” tha ai.

Një këshilltar i Bardella konfirmoi për AFP se ai po fliste për Bannon.

Bardella, tani 29 vjeç, u bë lider i RN në 2022, duke marrë detyrën nga Marine Le Pen. Ai gjithashtu drejton grupin e Patriotëve në Parlamentin Evropian.

Konferenca e Veprimit Politik Konservator ndikoi në ngritjen e Trump në krye të politikave konservatore. Trump iu drejtua kësaj Konference gjatë mandatit të tij të parë; ndërsa në takimin vjetor të këtij viti, ai pritet ta mbajë fjalën të shtunën

Latest articles

Related articles