Mbetjet e rrezikshme në dy botë të ndryshme…

spot_img

NGA ZEF PREÇI

Njoftimi nga Guardia di Finanza për ekzekutimin e operacionit “Metal Gate” bën me dije sekuestrimin e 58 tonë mbetje ekotoksike të importuara nga Shqipëria dhe në arrestimin e dy sipërmarrësve.

Po si mund të lexohet më tej ky njoftim, mbasi një çështje e tillë është prezente në Shqipëri prej të paktën 25 vitesh dhe ka sjellë në krijimin e qindra mijë tonelata mbetje të rrezikshme, të cilave nuk u gjendet nami, as nishani në dokumentet e shtetit shqiptar, përveçse 102 kontejnerëve të “parkuar” e Durrës dhe sëmundjeve vdekjeprurëse, që po bëjnë kërdinë në shëndetin e popullsisë shqiptare? Njoftimi italian që po analizojmë flet për “dy kompani italiane me seli në Lombardi”, që po tentonin të importonin ilegalisht nga Shqipëria. Dmth., eksporti i kryer nga Shqipëria, përndryshe veprimtaria kriminale e prodhimit, transportit, magazinimit dhe eksportit të mbetjeve të rrezikshme nga porti i Durrësit, në pronësi të KURUM edhe/ose të importuara nga vendet e rajonit vazhdojnë me të njëjtin intensitet, edhe pse prej më shumë se 9 muajsh kjo çështje është “teknikisht nën hetim”.

Sipas njoftimit italian, “inspektorët, pasi kanë konstatuar mospërputhje dokumentare gjatë kontrollit të mallrave ‘sensitive’, kanë thelluar aktivitetet e inspektimit duke verifikuar fizikisht atë që është transportuar dhe konstatuar mospërputhje në lidhje me deklaratën doganore”. Dmth., atje kryhet kontroll i thelluar për mallrat “sensitive” siç janë mbetjet e rrezikshme. Po në portin e Durrësit, ku operojnë të paktën 9 agjenci shtetërore duke përfshirë skanimin e koncesionuar çfarë pengon që të zbatohen procedura të ngjashme? Sipas të njëjtit njoftim, “…malli i është nënshtruar analizës nga ekspertët e Agjencisë Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit, të cilët i klasifikuan produktet e transportuara si mbetje ekotoksike”.

Dmth., organi i akuzës shqiptare, që së bashku me ministritë përgjegjëse për mjedisin dhe transportin, nëse kanë vullnet, paskan se ku të bëjnë analizat në vendin fqinj dhe nuk qenka aq e vështirë sa ky problem të qëndrojë pezull për pamundësinë e kryerjes se këtyre analizave (e kam fjalën për 102 kontejnerët e “parkuar” në Porto Romano). Sipas njoftimit të sipërcituar, operacioni “Metal Gate” përfundoi “…me sekuestrimin e mbetjeve speciale të sipërpërmendura dhe me kallëzimin e përfaqësuesve ligjorë të kompanive importuese për veprat penale të “trafikimit të paligjshëm të mbetjeve”, “gënjeshtër ideologjike e kryer nga një dokument privat kontrolli i veprimtarisë në mënyrë publike”. Dmth., agjencitë ligjzbatuese italiane procedojnë drejtpërdrejt dhe sipas ligjit, nuk spërdridhen për të mos përmendur kurrsesi emrat e zyrtarëve të lartë përgjegjës në institucionet shtetërore, që licencojnë, monitorojnë, mbikëqyrin, kryejnë analizat etj., etj., si në rastin e Shqipërisë.

Njoftimi italian, në ndryshim nga propaganda e këtushme, nuk thotë asgjë për përbetimin e ministrushave për të mos lejuar rikthimin e mbetjeve në vendin tonë. Në të vërtetë, vetëm pak muaj më vonë ato erdhën dhe sot askush mesa duket nuk iu del për zot, por rasti i sotëm Ankonës tregon se “puna” vazhdon njësoj… Gjithashtu, njoftimi italian nuk thotë asgjë për përplasjen ndërmjet agjencive ligjzbatuese si këtu, sepse atje secila agjenci përmbush detyrën ligjore sipas ligjit dhe nuk ka biznese “lule mos prek”, as agjenci shtetërore që bashkëpunojnë me krimin e organizuar vendës dhe ndërkombëtar e korrupsionin e zyrtarëve, siç ka dyshime të bazuara. Përndryshe as do të ktheheshin mbrapsht ngarkesat nga Kina dhe Tajlanda, as do të kishte hetime penale të nisura në fund të gushtit 2024, që nuk dihet nëse do të mbarojnë ndonjëherë për mbetjet e depozituara tashmë në Porto Palermo nën kujdesin e Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe sigurisht as pala italiane nuk do të kishte ndërmarrë operacionin policor në fjalë.

Ndërhyrja më e fundit – thuhet në njoftimin e saj “…nxjerr në pah angazhimin e përditshëm të Guardia di Finanza dhe Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve në monitorimin e vazhdueshëm të flukseve të mallrave që kalojnë nëpër portet kombëtare, garantimin e shkëmbimeve tregtare dhe ruajtjen e integritetit të mjedisit dhe tregut të brendshëm”. Nëse vërtetë duam që hetimi mbi mbetjet e depozituara në Porto Romano të përfundojë, mendoj se përfshirja e SPAK është pashmangshme. Sepse siç shkruante “Basel Action Network” në fillim të nëntorit të kaluar, “…ndërsa Shqipëria kërkon të anëtarësohet në BE dhe qeveria ka qenë e etur për të lidhur politikën e saj të mbetjeve të rrezikshme me atë të bllokut 27-vendesh, ajo duhet të ndalojë eksportin e mbetjeve të rrezikshme, mbetjeve shtëpiake, mbetjeve elektronike dhe mbeturinave të plastikës në vendet në zhvillim”… Ftoj masmedian që të investigojë më tej me këtë aferë në zhvillim e sipër, sepse vetëm kështu ndëshkohet paligjshmëria, rritet kërkesa e llogarisë ndaj institucioneve dhe agjencive tona shtetërore, por edhe krijohen premisa më të qëndrueshme për të ruajtur kështu edhe shëndetin e qytetarëve.

Latest articles

Related articles