Ballkani në bisedimet amerikano – ruse | Analiza (2)

spot_img

nga Sebastian Zonja

  • Teoria e lojës për të shpjeguar bisedimet në Riad

Siguria në kontinentin e vjetër

Lufta në Ukrainë hyn në vitin e tretë më 24 shkurt të këtij viti. Po përdorim një model të teorisë së lojës (Game Theory) për të parë se si do shkojë lufta dhe bisedimet. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë aktorët kryesorë. Lufta bëhet në Ukrainë. Aleatët e NATO-s dhe BE-ja bëjnë ç’thotë Amerika. Për të parashikuar rezultatin e bisedimeve po e modelojmë kësisoj – SHBA-të dhe Rusia kanë interesa të ndryshme, jo të njëjta; sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës janë çështje qendrore; evropianët duan të ulen në tavolinë për të parë se çfarë do bëhet me të ardhmen e sigurisë në kontinent. Çdonjëri prej lojtarëve ka strategjitë e veta. Po t’i grupojmë na rezulton: (1) përshkallëzim (ushtarak ose ekonomik), (2) negociata (lëshime ose kompromise), dhe (3) status quo (mbajtja e nivelit aktual të përfshirjes në luftime).

  • Shtetet e Bashkuara: SHBA-ja kërkon të ruajë këtë rend ndërkombëtar (unipolar-multipolar); mbështet sovranitetin e Ukrainës dhe kërkon të dobësojë ndikimin gjeopolitik të Rusisë. Ajo fiton më shumë nëse Rusia tërhiqet nga lufta si humbëse, por kjo kërkon kostot shtesë dhe zgjatjen e konfliktit (p.sh., ndihma financiare për Ukrainën çka sjell përçarje më të madhe politike brenda vendit dhe pasoja ekonomike mbarëbotërore).
  • Rusia: Ariu rus synon kontrollin mbi territoret e aneksuara (p.sh., Krimenë dhe Donbasin), të parandalojë integrimin e Ukrainës në NATO dhe të ruajë statusin si Fuqi e Madhe. SHBA-të ja kanë dhënë këto koncesione. Nëse Rusia s’i pranon, ka kosto të larta ku përfshihen sanksione më të mëdha, humbje ushtarake më të mëdha për shkak të furnizimit të Kievit me armatim dhe izolim të mëtejshëm ndërkombëtar.

Me çfarë përballen lojtarët kryesorë:

  1. Përshkallëzim: SHBA-ja mund të rrisë ndihmën ushtarake dhe të shtyjë për sanksione më të ashpra, ndërsa Rusia mund ta zgjerojë fushatën ushtarake ndaj Evropës.
  2. Negociata: SHBA-ja ofron lehtësim nga sanksionet dhe garanci se Ukraina do jetë neutrale, ndërsa Rusia pranon armëpushim dhe tërheqje të pjesshme në këmbim të njohjes së disa territoreve.
  3. Status Quo: Të dyja palët vazhdojnë njësoj —SHBA-të mbështesin Ukrainën, ndërsa Rusia mban rajonet lindore. Lufta zgjatet.

Çfarë na rezulton:

  • Përshkallëzim/Përshkallëzim – Palët s’kanë interes se kostot janë të larta për të dyja (humbjet ushtarake dhe dëmet ekonomike).
  • Përshkallëzim/Negociata – SHBA-ja përshkallëzon ndërsa Rusia kërkon bisedime. SHBA-ja fiton avantazh duke e detyruar Rusinë të pozicionohet më dobët në tavolinën e negociatave.
  • Përshkallëzim/Status Quo – SHBA-ja përshkallëzon ndërsa Rusia mban pozicionin aktual. SHBA-ja çon armë në Ukrainë dhe rrezikon tejzgjatjen e luftës; Rusia pëson humbje por pa shumë qeder.
  • Negociata/Përshkallëzim – SHBA-ja ofron bisedime ndërsa Rusia përshkallëzon. Rusia fiton terren duke e shtyrë SHBA-në drejt lëshimeve më të mëdha.
  • Negociata/Negociata – Të dyja palët bëjnë kompromis—p.sh., armëpushim, tërheqje e pjesshme ruse dhe neutraliteti i Ukrainës. Rezultat i balancuar me fitime për të dyja palët.
  • Negociata/Status Quo – SHBA-ja negocion ndërsa Rusia mban mban këto pozicione. SHBA-ja siguron një fitore diplomatike ndërsa Rusia ruan territoret aktuale.
  • Status Quo/Përshkallëzim – SHBA-ja rri në vend ndërsa Rusia përshkallëzon. Amerika ka kosto më të larta dhe rrezikon të humbasë besueshmërinë globale ndërsa Rusia fiton terren.
  • Status Quo/Status Quo – Konflikt i ngrirë. Asnjëra palë nuk fiton, por të dyja shmangin kostot e përshkallëzimit ose kompromisit.

Cili është ekuilibri i Neshit?

Sipas gjithë asaj që shkruam më sipër, palët janë të dyja të interesuara për negociata. Nëse SHBA-ja zgjedh të shkojë në negociata, përgjigjja më e mire që vjen nga Rusia është po ashtu negociata. Edhe e anasjellta, nëse Rusia zgjedh të bisedojë, përgjigjja më e mirë e SHBA-së janë negociatat.
Na rezulton gjithashtu se Status Quo/Status Quo është gjithashtu ekuilibër i mundshëm. Nëse SHBA-ja zgjedh Status Quo, përgjigjja më e mirë e Rusisë është Status Quo. Nëse Rusia zgjedh Status Quo, përgjigjja më e mirë e SHBA-së është Status Quo.
Vëmë re se të dyja palët preferojnë ta zgjidhin në tavolinë, por po bëjnë llogari se çfarë do lëshojnë. Faktorët që tregojnë se do ketë negociata intensive për të shkuar në zgjidhje afatgjatë dhe jo armëpushim apo konflikt të ngrirë janë treguesit e ekonomisë ruse që kanë rënë drastikisht dhe presioni i brendshëm në SHBA për të ulur shpenzimet buxhetore.

Rezultati më i mundshëm është një lëvizje që sjell zgjidhje në tavolinë me një armëpushim përgjatë linjave aktuale; Rusia mban Krimenë dhe pjesë të Donbasit, por nuk i njihen ndërkombëtarisht pasi thamë se SHBA-të duan këtë rend aktual ku kufinjtë nuk ndryshojnë me luftë; neutraliteti i Ukrainës kundërbalancohet me garanci sigurie nga Rusia për Perëndimin si dhe lëshime ruse në Evropën linodre; po ashtu, pjesë e paketës është lehtësimi gradual i sanksioneve ndaj Rusisë.

Nëse do të përdorim Teorinë e lojës, ky është rezultati më i mirë, ku të gjithë dalin të kënaqur – Evropa merr garanci në Lindje, SHBA-të mbyllin një konflikt që mund të kthehej në Vietnamine dytë; Rusia heq sanksionet dhe siguron statusin Fuqi Rajonale; Ukraina mund të futet në struktura të Bashkimit Evropian, pa u futur në NATO apo aleanca të tjera sigurie. Ky rezultat pasqyron një ekuilibër të mirë ku asnjëra prej palëve nuk arrin qëllimet maksimale por shmang kostot e përshkallëzimit. SHBA-ja ruan pavarësinë e Ukrainës (megjithëse të zvogëluar), ndërsa Rusia siguron një zonë tampon dhe legjitimitet të brendshëm.

Latest articles

Related articles