Kryeministri Rama i ka kërkuar Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion që të mos dalë në terren për të hetuar krimet zgjedhore por të vazhdojë punën nga zyra duke u pozicionuar me kritika ndaj Task Forcës së re. Sipas Ramës, partitë nuk mund të survejohen në një proces elektoral.Prokuroria e Posaçme ka publikuar edhe planin strategjik me ngritje zyrash në qarqe dhe ndjekje të problematikës për krime të mundshme zgjedhore gjatë zgjedhjeve të 11 majit.
“Nuk ka alternativë tjetër përveç një drejtësie të pavarur që respekton të drejtat e njeriut. Duhet të luftojmë të gjithë së bashku që ta konsolidojmë.
Ka shumë gjëra pozitive, por edhe shumë negative. Edhe një rast kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional është shumë. Nuk mund të lejohen qasje të ish sigurimit të shtetit.
Patjetër që duhet të jemi të vendosur, nuk mund të trysnohet administrata, nuk mund të survejohen partitë politike në proces elektoral.
Besoj se është lajthitje e momentit dhe të ndalet menjëherë survejimi në terren. Nuk mund të kthehemi në periudhë të errët. Hetimet për krime zgjedhore secili në pozicionin e vetë. Nuk mund të dilet nga llogoret”, u shpreh Rama.