nga Sebastian Zonja
Pjesa e parë
Kjo që po ndodh sot në arenën ndërkombëtare është lëvizja më normale e superfuqive. Ka shumë autorë që flasin mbi këto lëvizje tektonike, por kemi zgjedhur të marrim dhe trajtojmë, shkurt, dy prej tyre – Xhon Mershaimer dhe Graham Elison (John Mersheimer – “The tragedy of great poëer politics” dhe Graham Allison “Destined for Ëar: Can America and China Escape Thucydides’s Trap?”)
Sipas Xhon Mershaimerit shtetet kanë një qëllim kryesor në rendin ndërkombëtar – të bëhen sa më të fortë, të krijojnë ushtri dhe teknologji aq të fuqishme saqë asnjërit mos t’i shkojë mendja t’i ngacmojë. Kjo vjen për arsye të natyrës anarkike e sistemit ndërkombëtar – kur je në hall duhet t’ja dalësh vetë, se s’ke kujt t’i telefoniosh.
Si njerëzit, edhe shtetet, sipas Mershaimerit, kanë në qendër të vëmendjes mbijetesën, pastaj vjen mirëqenia dhe të tjerat. Pikërisht kjo trajektore që ka në thelb fuqinë dhe sigurinë ka çuar shpeshherë në konflikte të mëdha. Tensionet lindin dhe zgjerohen kur një fuqi në ngritje fillon të kërcënojë hegjemonin real, duke çuar drejt luftës. Shembujt janë të shumtë —Athina kundër Spartës; Roma kundër Kartagjenës; rivaliteti anglo-gjerman dhe Lufta e Ftohtë. Ndërsa sot kemi një panoramë të re tensionesh mes SHBA-së dhe Kinës.
Ç’na mëson historia që të parandalojmë katastrofën?
Në shekullin e 5-të para Krishtit kemi luftën e Peloponezit. Athina ishte fuqi detare në rritje dhe kjo alarmoi Spartën, hegemonin dominues në këtë pjesë të Mesdheut. Tukididi shkruan – “Ajo çka e bëri luftën të pashmangshme ishte rritja e fuqisë athinase dhe frika që kjo shkaktoi te Sparta.”
Koalicioni Delian (udhëhequr nga Athina) dhe Koalicioni i Peloponezit (udhëhequr nga Sparta) shkuan në luftë. Lufta zgjati dhe i shkatërroi që të dyja fuqitë e mëdha të kohës. Më vonë, ngritja e Romës solli Luftërat Punike kundër Kartagjenës (264–146 para Krishtit). Kartagjena, talasokracia e pasur e kohës u përball Romën që synonte të dominonte krejt Mesdheun. Në Luftën e Dytë Punike, Hanibali i Kartagjenës thuajse e mori Romën. Pasi mblodhën forcat romakët, në vitin 146 para Krishtit, u shua nga faqja e dheut Kartagjena. Këto ngjarje të rëndësishme nga antikiteti na sjellin në vëmendje atë që shkruan Mearshaimeri dhe Elisoni: Fuqitë e Mëdha nuk bashkëjetojnë kollaj kur njëra e sheh tjetrën si kërcënim ekzistencial.
Në modernitet, përgjatë shekullit të 19-të dhe 20-të, rivaliteti anglo-gjerman para Luftës së Parë Botërore ilustron Kurthin e Tukididit. Britania, fuqia detare më e madhe në botë, u shqetësua nga rritja industriale dhe ambiciet detare të Gjermanisë nën kajzerin Vilhelm II. Gara e armatimit dhe konkurrenca koloniale ushqyen mosbesim, duke kulmuar me Luftën e Madhe. Përpjekja e Gjermanisë për hegjemoni u përplas me vendosmërinë e Britanisë për të ruajtur statusin, duke çuar Evropën në luftë. Frika nga rënia si fuqi, përtej ambicies për të ruajtur statusin, nxitën përshkallëzimin e luftës, është një tipar i rëndësishëm dallues në konfliktet ku përballen Fuqitë e Mëdha, thotë Mershaimeri.
Lufta e Ftohtë mes SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik ofron një pamje më të qartë për shumë njerëz që janë gjallë dhe e kujtojnë atë kohë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA-ja vjen si hegjemon që mbron demokracinë në botë, ndërsa Bashkimi Sovjetik mbronte komunizmin. Rivaliteti mes tyre solli luftë në Kore, Vietnam dhe Afganistan. Megjithatë, duhet theksuar se palët nuk u përballën asnjëherë kokë më kokë, ndryshe nga shembujt që sollëm më sipër. Sipas shumë strategëve, arsyja është arma e frikshme atomike. Palët e dinin mirë se shkatërrimi ishte i sigurtë për të dy bashkë.
Në vitin 1991 bie Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-të triumfojnë. Janë superfuqi e vetme. Për disa ishte koha që e gjithë bota të bëhej demokraci liberale. Ndërkohë, për disa autorë të tjerë, si Xhon Mershaimer apo filozofi britanik Xhon Grei, tensionet ishin aty, fuqitë e mëdha ishin aty, por po i mbushnim mendjen vetes se “historia ka përfunduar”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe u shfaq konkurenti i ri – Kina. Gjiganti aziatik kishte studiuar me kujdes rënien e Bashkimit Sovjetik, kishte dërguar mijëra studentë në Amerikë për studime, kishte marrë gjithë industrinë e botës në Kinë për t’u zhvilluar dhe fillon një ngjitje meteorike duke ripërcaktuar dinamikat globale të fuqisë.
Aktualisht që flasim, ekonomia e Kinës rivalizon atë të Amerikës, ushtria modernizohet me shpejtësi dhe Rruga e Mëndafshit zgjeron ndikimin global të saj. SHBA-ja është në alarm, ndërsa ka kthyer gjithë antenat tek Deti i Kinës së Jugut dhe mbi Tajvanin. Sapo kanë filluar luftërat tregtare, betejat teknologjike dhe ripozicionimet ushtarake. Gjithë kjo situatë sinjalizon një përballje klasike, edhe më të fortë se me ish-Bashkimin Sovjetik.
Dikur ishte Evropa, sot Azia
Nëse kërcënimi shekullin e shkuar për Amerikën vinte nga Evropa, pasi aty ishte Bashkimi Sovjetik, sot vjen nga Azia, pasi aty është Kina. Ndaj, sugjerimi i parë për të hyrë në lëminë e sinologjisë është libri i Graham Elisonit. Autori, ndër më seriozët sot, sjell 16 raste nga historia për analogji. Nga 16 rastet që ai sjell, 12 kanë përfunduar në luftë (p.sh., Britania kundër Gjermanisë), ndërsa katër arritën të vendosin hegjemoninë në mënyrë paqësore (p.sh., SHBA-ja merr stafetën e Britanisë në fillim të shekullit të 20-të pa luftë, për shkak se nuk kishin mosmarrëveshje direkte territoriale dhe ishin afër kulturalisht).
Nëse shohim pak më tutje, një dekadë apo dy, Amerika dhe Kina kanë dallime ideologjike, janë futur politikisht në spirale nacionaliste dhe kanë divergjenca interesash në Azinë Juglindore. Kjo rrit rreziqet. Pikat më të nxehta aktualisht janë Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore që mund të nxis konflikt. Kina kërkon dominim rajonal ndërsa SHBA-ja po unifikon aleancat në Indo-Paqësor.
Historia rimon, nuk përsëritet
Paralajmërimet që na vijnë nga historia e lashtë dhe moderne na tregojnë se lidhjet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës mund ta pengojnë luftën e drejtëpërdrejtë. Ky është një nga argumentet e forta të liberalëve. Ndërkohë, autorët klasikë nuk e marrin në konsideratë këtë. Por mund të themi se shpëtimi nga Kurthi i Tukididit sot kërkon diplomaci të guximshme, lëshime reciproke dhe ndërgjegjësim për gabimet historike. Lideri kinez Shi Xhinping flet zakonisht për një lloj të ri marrëdhëniesh mes Fuqive të Mëdha. Një optikë se si duket kjo marrëdhënie na e jep traktati i miqësisë Rusi – Kinë. Ndërkohë, në SHBA shohim një politikë që lëkundet mes konfrontimit dhe angazhimit diplomatik që mund ta parafrazojmë me shprehjen “speak softly but alëays carry a big stick”. Po t’i përmbahemi shkollës realiste të Mershaimerit, vendet do shkojnë në luftë. Elisoni na thotë se kjo mund të shmanget. E gjithë bota po vëzhgon. Samiti mes SHBA-së dhe Rusisë në Riad të Arabisë Saudite është një lëvizje në këtë drejtim, për një arkitekturë të re sigurie.