94 vite më parë u vra nga serbët albanologu kroat Milan Shuflaj!

spot_img

Në përvjetorin e 94 të vrasjes së tij, sot e kujtojmë historianin e shquar kroat Milan Šufflay, njërin nga themeluesit e albanologjisë dhe veçanërisht të studimeve për historinë e shqiptarëve gjatë periudhës së mesjetës. Milan Šufflay vdiq më 19 shkurt 1931, pasi në natën e 18 shkurtit, rreth orës 20:00, ai u sulmua me shufër metalike duke u qëlluar për vdekje, në korridorin e banesës së tij në Zagreb, në rrugën “Dalmatinska”, nr. 6. Pas kësaj, atentatorët kishin hyrë në banesën e viktimës së tyre dhe e kishin marrë dorëshkrimin e papërfunduar të vëllimit të tretë të veprës “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”.
Për vrasjen e Milan Šufflay u arrestuan në Vjenë dhe u gjykuan tre serbë: Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviq dhe Stevo Veçerina, anëtar të organizatës terroriste “Jugosllavia e Re”, të njohur për atentatet e tyre ndaj emigrantëve kroatë. Zwerger u dënua me burgim të përjetshëm, Bellosheviq me 5 vite burg, kurse Veçerina u lirua nga akuza. Vrasja e shkencëtarit kroat Milan Šufflay bëri bujë të madhe dhe nxiti reagimin e shumë personaliteteve. Fizikani Albert Einstein dhe shkrimtari Heinrich Mann protestuan përmes një letre në gazetën “The New Tork Times”, ku shkruanin që “vrasja si mjet për arritjen e qëllimeve politike nuk duhet të tolerohet dhe glorifikimi i vrasësve si heronj kombëtarë nuk duhet të durohet”. Milan Šufflay u vra me urdhër të autoriteteve serbe për shkak të aktivitetit të tij politik si një nacionalist kroat dhe për shkak të studimeve të tij aq briliante për historinë e shqiptarëve, përmes të cilave ai i kishte kundërshtuar me argumente historike pretendimet e Serbisë ndaj trevave shqiptare.
Milan Šufflay kishte lindur më 1879 në Lepoglavë, kurse ishte shkolluar në Zagreb dhe Vjenë, për histori, paleografi dhe diplomatikë. Ai do t’i vinte themelet e studimeve shkencore për historinë e shqiptarëve gjatë periudhës së mesjetës, me veprën monumentale me dokumenta “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, që e botoi në dy vëllime, bashkë me historianin hungarez Ludwig von Thallóczy dhe historianin çek Konstantin Jireček.
Milan Šufflay ka shkruar një mori veprash historiografike me tema nga historia e shqiptarëve, disa prej të cilave janë përkthyer dhe botuar edhe në shqip, sikur janë: “Serbët dhe arbërit”, “Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë kryesisht në mesjetë”, “Histori e shqiptarëve të Veriut (studim sociologjik)”, “Situata të kishës në Shqipërinë paraturke” etj.
Në kujtim të historianit Milan Šufflay dhe në shenjë mirënjohje për veprën e tij/ Albin Kurti

Latest articles

Related articles