: Politika e denigrimit ndaj atyre që nuk ndajnë të njëjtin mendim, duhet të marrë fund
Nëpërmjet një reagimi në profilin e saj social, kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, është shprehur se gjuha denigruese ndaj atyre që nuk ndajnë të njëjtin mendim, duhet të marrë fund.
Jupi i referohet sulmeve ndaj gazetares Glidona Daci, e cila është fyer me gjuhë denigruese nga njerëz anonim, të cilët, sipas saj, nuk kanë as guximin as dinjitetin të vënë fytyrën e tyre pas gjuhës së përdorur.
Më poshtë reagimi i Jupit:
Gazetarja Glidona Daci është sulmuar më gjuhë denigruese nga njerëz që nuk kanë as guximin as dinjitetin të vënë fytyrën e tyre pas asaj gjuhe.
Të gjithë ne, qytetarë, intelektualë, politikanë e gazetarë duhet të bashkohemi për ta dënuar me të gjithë forcën këtë palaçollëk burracakësh.
Sulmet ndaj zonjave dhe zonjushave online dhe në media ndërmerren shpesh nga njerëz me pushtet dhe ndjekës apo vartës të tyre.
Profilet e mia në mediat sociale sulmohen sistematikisht nga llogari anonime të krijuara në bodrumet e propagandës së politikës mjerane.
Politika e denigrimit dhe dëmtimit të imazhit të njerëzve që nuk pajtohen me mendimin e një partie apo politikani është mbetje e pështirë e paburrërisë së klasës politike të tranzicionit.
Kjo duhet të marrë fund një herë e mirë. Askush nuk duhet të guxojë të vërsulet mbi gratë shqiptare me gjuhë të padenjë.
Në 11 maj, duhet të dërgojmë në Parlament më shumë zonja e zonjusha të vetëdijshme dhe të angazhuara për ta çrrënjosur këtë zakon të ulët.
Gruaja dhe vajza shqiptare meriton të gjithë respektin dhe lirinë për ta bërë Shqipërinë vend të drejtë e të zhvilluar.