Nga Albana Beqiri, RTK
Shkrimtarët duan apo s’duan rëndom e natyrshëm u veshin veprave të tyre elementë autobiografikë, në mos si qëllim më vete, së paku si një element intrigues përmes së cilit përvoja personale kondenzohet artistikisht për t’u shndërruar e bërë pastaj pjesë e temave universale. Te romani i tij më i fundit “Shtatë dritaret” shkrimtari Virion Graçi nuk ndërfut aty- këtu elementë autobiografikë, por krejt romanin e ka ndërtuar si një rrëfim autobiografik me spikamë periudhën e komunizmit, parë nga syri vëzhgues i një të padëshiruari nga sistemi komunist.
Me skrupulozitetin e një kronikani ai mban në kujtesën e vet prej fëmije e adoleshenti shënime për një kohë e për një jetë që nuk mund të rrëfehet madje as artistikisht nëse nuk përjetohet vetë si kalvar dhimbjesh e peripecish e si dëshmi e një kohe që prodhon padrejtësi, shtypje e totalitarizëm, shprishje të individualitetit, rrënim e zvetnim të dinjitetit, thyerje e vrasje të shpresave dhe ëndrrave edhe më normale e më të ligjshme si ajo e lirisë, asaj individuale dhe asaj kolektive.
As i zbukuron e as i shton bëmat e komunizmit, hekat e veta dhe të gjithë të ngjashmëve si ai. Memoria e tij ka shënuar çdo gjë. Edhe vibrimin më të vogël të frikës që i shkon për shtati qytetarëve të diktaturave, veçmas atyre të dorës së dytë, atyre që nga sistemi janë klasifikuar si të papërshtatshëm. Si i ati i tij psh- mësuesi të cilin e nderojnë të gjithë, në heshtje dhe ata që e urrejnë apo ja bëjnë gjëmën. Madje edhe Minirët e shumtë që gjenden kudo si syri dhe veshi i partisë dhe i regjimit.
Ajo që të bie në sy është se shkrimtari rrëfen jetën e tij prej të padëshiruari të sistemit për shkak të biografisë së tij familjare, me një neutralitet mbresëlënës, pa mbajtur anë. Ndonëse pa dëshirën dhe pa dijeninë e tij e kanë rreshtuar në anën e të këqinjve- armiqve të partisë, ai rrëfen qetësisht e besnikërisht ngjarje që e kanë bërë dhe kanë lënë gjurmë në jetën e tij pa mllef, pa inate, pa nuanca të dëshirës për hakmarrje. Thjesht dëshmon sikur nxiton t’ i dalë të keqes përpara: harrimit eventual që pastaj do pasohej nga ripërsëritja, mbase edhe më e shëmtuar e historisë.
Duket se rrëfimtari e ka mbajtur gjatë në vete peshën shtypëse të kujtimeve të cilat pastaj për t’i paqtuar i hodhi në letër. Si një rrëfim të bukur artistik mbi një periudhë të shëmtuar të historisë sonë. Gjithçka rrëfehet natyrshëm, pa sforco e siç e thamë pa pezm, vrer apo urrejtje, por me një sinqeritet që të bën për vete që në rreshtat e parë. Ky dhe është stili i tij: i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë, pa zbukurime të panevojshme e që i jep forcë dhe autenticitet rrëfimit.
Me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme Graçi rrëfen rrjedhshëm histori e ngjarje personale që jo vetëm e ngërthejnë lexuesin, por edhe e bëjnë të identifikohet me të si rrëfimtar e kryepersonazh duke përjetuar ndjesitë e tij emocionale. Si rrallë ndodh në rrëfimet autobiografike Virion Graçi ka zgjedhur të rrëfejë jo në vetën e parë, por në të tretën duke vendosur një distancë mbase edhe të nevojshme mes rrëfimtarit dhe personazhit që gjithsesi gjatë narracionit të mbushur me dialogje të gjalla e përjetime të forta emocionale, shkrihen e bëhen një.
Romani fillon me dhe ndjek kalvarin e shkollimit të mesëm të protagonistit, i cili përballet me sfida dhe padrejtësi të kuptueshme për shkak të stigmës si “i papërshtatshëm” për sistemin, stigmë kjo që e shoqëron gjatë gjithë jetës së tij, duke e bërë të ndjehet i përjashtuar dhe vërtet i papërshtatshëm. Graçi përshkruan bukur deri në detaje sidomos peripecitë për fitimin e të drejtës së studimit për shkollën e mesme, pastaj përvojat e tij në shkollë, marrëdhëniet me shokët dhe mësuesit, raportet familjare si dhe ndikimin e ideologjisë komuniste në jetën e përditshme. Pastaj rrëfimi vazhdon edhe pas rënies së komunizmit duke përshkruar po aq gjallë e mjeshtërisht edhe pasojat e diktaturës pas shpërbërjes së saj si dhe zhgënjimin prej demokracisë.
“Shtatë dritaret” është një roman që duhet lexuar nga të gjithë, si rrëfim i bukur autobiografik, por edhe si dëshmi tronditëse për një nga periudhat më të errëta të historisë sonë, atë të diktaturës komuniste.