Sali Berisha do të paraqitet nesër pranë Prokurorisë së Posaçme sipas urdhrit të prokurorëve, për të qenë aty një herë në dy javë. Ndërkohë, PD është angazhuar të mbledhë militantët e saj pranë SPAK.
“Të dashur miq. Nesër, ditën e hënë, në orën 09:30, sërish Kryetari i PD Prof. Dr. Sali Berisha do jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty në orën 09:30, përpara selisë së SKAP-it. Faleminderit” – shkruhet në mesazhin e shpërndarë nga kryesitë e degëve të PD për militantët që pritet të mblidhen nesër.
Edhe pse Sali Berisha e ka zbutur qëndrimin e tij ndaj SPAK-ut, kjo nuk duket se është reflektuar te drejtuesit e PD, të cilët vazhdojnë t’i drejtohen Prokurorisë së Posaçme me epitetin “SKAP”. Disa ditë më parë, mbështetës të Erion Veliajt u mblodhën në të njëjtin vend në një protestë që u kritikua nga kryetari i PD si sulm ndaj institucioneve të drejtësisë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë nesër me mbështetësit e Berishës para dyerve të SPAK-ut, ndërsa ajo që është e sigurt është se Policia e Shtetit do të marrë masa për të siguruar perimetrin e godinës së Prokurorisë së Posaçme.