Prof Taulanda Jupi
Familjet shqiptare janë të vjedhura dy herë. Një herë u vidhen taksat, pasuria dhe mundësitë nga një pakicë e privilegjuar. Dhe një herë tjetër, u vidhet gëzimi i fëmijëve të tyre që janë viktimë e bullizimit për veshjen dhe standardin e tyre të jetesës.
Klasa politike e korruptuar dhe familjet të tyre jetojnë në luks të shfrenuar, me konsum të tepruar dhe shpenzime marramendëse.
Ky model bëhet standardi që u imponohet të gjithëve për sa kohë mbetet i pandëshkuar. Pasojat e kësaj kulture bien mbi fëmijët tanë që rriten me idenë e rreme se vlera e tyre përcaktohet nga veshjet e shtrenjta, pajisjet e fundit teknologjike dhe aksesorët e luksit. Fëmijët që nuk mund ta ndjekin këtë standard bëhen objekt bullizmi, ndihen të pavlerë, të përjashtuar dhe të pashpresë.
Tragjedia e 17-vjeçares E.M. nga Gjirokastra na kujton se pabarazia nuk është vetëm statistikë. Ajo është dhimbje, është izolim, është padrejtësi.
Ndërkohë që organet e drejtësisë po luftojnë korrupsionin e niveleve të larta, ne nuk mund të presim vendime gjykate për të ndalur pasojat e tij në shoqëri. Nuk mund të lejojmë që fëmijët tanë të rriten me idenë e rreme se të jesh i varfër është turp, ndërsa të jesh pasuruar me hajdutëri është meritë.
Për të ndalur këtë realitet të hidhur, duhet të veprojmë tani. Si deputete, do të angazhohem që:
✅ Të rritet numri i psikologëve në shkolla dhe të krijohen programe të mirëfillta mbështetëse për nxënësit që ndihen të izoluar apo të bullizuar.
✅ Të rikthehet detyrimi për uniformën shkollore dhe të ndalohet përdorimi i telefonave në shkollat publike dhe private, për të shmangur presionin social mes fëmijëve.
✅ Të ndërmerren fushata ndërgjegjësimi për të ndryshuar mentalitetin dhe për të ndaluar diskriminimin social mes fëmijëve.
Nuk mund të presim më! Nëse duam një Shqipëri ku fëmijët nuk vriten nga bullizmi dhe pabarazia, duhet të veprojmë tani.
Unë do të jem zëri i tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të luftoj që asnjë fëmijë të mos ndihet kurrë më i vetëm dhe i pashpresë.
Le të ndërtojmë një Shqipëri ku fëmijët tanë të kenë mundësinë të ëndërrojnë, pa frikën e gjykimit dhe përjashtimit social.