Nga Prof. Taulanda Jupi
Sot 58 vite më parë, regjimi komunist nisi luftën e hapur dhe totale ndaj besimit fetar dhe trashëgimisë shpirtërore e materiale të fesë në Shqipëri. Komunistët ndërsyen të rinjtë gjimnazistë dhe qytetarët e manipuluar të shembin me duart e tyre kisha, xhami, teqe, kuvende e konaqe.
Jo se regjimi nuk i hidhte dot në erë vetë shtëpitë e Zotit, siç bëri me kishën e Shën Marisë në Vaun e Dejës. Synimi i tyre ishte që me rrënimin e trashëgimisë dhe elegancës së tyre, të vriste në zemrat e njerëzve dashurinë për Zotin dhe të bukurën që mbjell në shpirt besimi tek e përjetshmja.
Mijëra klerikë u burgosën, u persekutuan dhe qindra prej tyre u vranë ose vdiqën në vuajtje të parrëfyeshme. 23 vite rresht, besimtarët u përdoqën e u survejuan nga Sigurimi kriminal i Shtetit për t’i frikësuar e larguar nga Zoti dhe për të prerë shpresat e ngushëllimin që buron nga besimi.
Regjimi më i pashpirt që ka parë Europa i shihte armiqtë e tij tek njerëzit me shpresë dhe ndjesinë e mirë se e keqja dhe e shëmtuara e ka një fund dhe e mira dhe e hijshmja do të ngadhënjejnë. Partisë së Punës i nevojiteshin skllevër të frikësuar e të nënshtruar, pa një derë ku të kërkonin forcë për të kundërshtuar padrejtësinë.
Nuk është rastësi që fundi i diktaturës u shënua me mesha dhe namaz, me vërshimin e njerëzve drejt shtëpive të Zotit dhe me shpërthimin e besimit që njerëzit ruanin me besnikëri në zemër.
Për fat të keq, 35 vite të periudhës postkomuniste nuk kanë qenë të drejta me besimtarët, siç nuk kanë qenë të drejta me të gjithë shqiptarët. Komuniteteve fetare nuk iu kthyen pronat asnjëherë dhe ato mbeten akoma të dobëta. Shumë pak është bërë për të restauruar trashëgiminë shpirtërore materiale të rrënuar nga komunistët.
Mbi të gjitha, hija e keqe e asaj lufte me Zotin dhe dashurinë hyjnore mbetet e dukshme tek pamundësia për të dalë nga bataku moral ku e zhyti vendin ajo luftë. Kjo është një ditë për të ritheksuar angazhimin se kjo nuk do të përsëritet kurrë. Është dita për t’u lutur për shpirtrat e besimtarëve të vrarë e të torturuar në qelitë e hetuesive dhe kampet e internimit. Zoti i mbështjelltë me dashurinë e tij!