Një mendim për Lapajn, Shehajn, e të tjerë

spot_img

Nga Roland Bejko

Krijimin e polit të tretë kundër dyshes së establishmentit të politikës së vjetër Rama-Berisha, si unë dhe pak të tjerë e kami hedhur si ide, por edhe si projekt politik qysh vitin e shkuar duke e artikuluar jo vetëm në media por edhe në mbledhjet e kryesisë së PD (e njohur si PD zyrtare që drejtohej nga Basha). A. Haklaj pati meritën se e konkretizoi me një takim në hotel Tirana me shumë parti të vogla, le të themi.

Por, akoma më shumë i mëshova kësaj ideje në dhe pas 11 qershorit kur Gjykata e Apelit morri vendimin të njihte për PD foltoren e Sali Berishës, sepse isha i bindur që establishmenti politik ishte dhe vazhdon të jetë shumë i fuqishëm me pushtet, para,mbështetjen e oligarkëve, me botën e krimit, me më shumë militantë, dhe mbi të gjitha, të mbrojtur nga një sistem elektoral hermetik i kontrolluar tërësisht nga dyshja Rama-Berisha sipas marrëveshjes së 2008 por edhe pazarit të prillit të vitit të kaluar.

Besoja shumë se partitë e reja do bashkoheshin në këtë pol të ri politik me këdo që ishte (i)kundër establishmentit të vjetër politik Rama-Berisha,(ii) me këdo që kish si qëllim final fundin e tranzicionit politik, (iii) me këdo që mbështeste reformën e re në drejtësi e veçanërisht SPAK, (iv) me këdo që ishte kundër krimit të organizuar dhe ekonomisë kriminale, (v) me këdo që kish orientim të qartë properëndimor, etj.

Me sa i pata ndjekur këto pika përbashkuese i gjeja pothuajse në të gjithë ligjërimin politik të kryetarëve të partive jashtë spektrit dhe aleancave me gërdallat e korruptuara të politikës së kalbur shqiptare, pavarësisht nuancave apo dallimeve ideologjike që secili përfaqësonte.

Mirëpo ja ku jemi sot:

Partitë e reja, të cilat sipas sondazheve janë edhe të vogla, jo vetëm që nuk gjetën dakordësi me njëri tjetrin për t’u bashkuar në një koalicion duke kandiduar me lista të hapura që gjithkush ta kish votën idenditare e personale, por tanimë, po shqyejnë njëri-tjetrin me synimin final, asgjësimin përfundimtar të rivalit të cilin e konsiderojnë kundërshtar deri në vdekje. Punizëm i gjallë!

Në harkun kohor të 20 ditëve kemi pasur rastin të shikonim disa shfaqje të shëmtuara midis këtyre kryetarëve(të pazgjidhur me votë, në fakt, nga anëtarësia e partive të tyre) që pretendojnë se janë politikanët ndryshe, e reja, modernia, mesitë që na vijnë si misionarë për të na shpëtuar nga e keqja, por që rrugës po e masakrojnë njëri-tjetrin për të mos mbritur gjallë tek ne.

Nuk është e vështirë ta kuptosh sjelljen e tyre politike.

Së pari kjo ndodh se Agron Shehaj psh, e ka nuhatur nga sondazhet se Adriatilk Lapaj ka më shumë mbështetës se ai. Për pasojë kërkon që duke goditur Lapajn me akuza të dyshimta korrupsioni apo siç thotë, të bashkëpunimit me botën e krimit ekonomik, t’i rrëzojë atij kartën më të fortë morale, pastërtinë e figurës, pra si njeri që nuk është bërë pis në angazhimet e tij si aktivist shoqëror në të shkuarën e afërt, apo si një avokat i angazhuar, nga balta e korrupsionit shqiptar.
Me të njëjtën gjuhë i përgjigjet z. Shehaj edhe pala tjetër, ajo e Lapajt dhe vet Ai.

Së dyti, shumë analistë dhe komentatorë të politikës që mbështesin Lapajn apo dhe grupimet e tjera opozitare, mendojnë se Agron Shehajn e ka nxjerrë në lojë dhe e mbështet Berisha me të vetët për të tërhequr pranë vetes votat e ish pronarëve, ish të përndjekurve nga regjimi komunist, dhe të gjithë atyre djathtëve të tjerë që nuk duan Berishën. Pra, që ky targetgrup votuesish të mos shkojë te Alibeaj, Dash Shehi, Lapaj, apo qoftë edhe te Basha që pret para pasqyrës të rrëzohen të gjithë, po të gjithë ama dhe zoti a Doktori t’ia bëjnë sërish dhuratë PD-në me gjithë çka brenda.( dmth, me gjithë Gazin, Oerdin, Joridën, Palokën, Albanën, Mondin, Jamarbrin, dhe Selinë e Shqupit etj,etj), por të stacionohet në 11 maj me votë te Agron Shehaj, e më tej ky, në varësi të situatës t’i ribashkohet Berishës, njëjtë siç bëri pas 9 shtatorit 2021.

Nëse arsyeja e parë na bind sepse duket sheshit që është një taktikë politike bolshevike për të asgjësuar tjetrin dhe këdo tjetër që si tjetri noton në të njëjtat ujra të cekëta opozitare si ai, pra si Shehaj, e dyta arsye mbetet të na o vërtetojë koha, ndoshta në mos para, pas zgjedhjeve….

Mirëpo çfarë po ndodh?

Nga kjo luftë që i bëjnë njëri-tjetrit askush prej tyre nuk do fitojë. Nëse fillon të besohet ideja se edhe Lapaj është po aq i “korruptuar” sa dhe politikanët e vjetër që ky sulmon, padiskutim që do humbasë mbështetjen e votuesve.
Por ama, as Shehaj nuk do përfitojë gjë nga kjo strategji e vogël ballkanike e politikës së vjetër. Sepse paralelisht te publiku që e ndjek politikën, Shehaj do perceptohet si një mistrec i vockël politik që sulmon kundërshtarët me stilin e gjuhën e njëjtë si të Saliut dhe të Ramës. Pra, edhe ky do konsiderohet stil i vjetër i të bërit politikë. Shto këtu faktin që Flamur Noka e ka akuzuar publikisht si bashkëpunëtor dhe përfitues në biznes nga Erion Veliaj, Kryetari socialist i Bashkisë së Tiranës.

Atëherë, në këtë situatë, çfarë do bëjë kontingjenti i votuesve që janë kundër politikës së vjetër?

  • Do thonë që edhe këta të rinjtë qenkan po aq të vjetër sa të vjetrit, po aq të korruptuar e të pistë sa të korruptuarit e vjetër, po aq hileqare e demagogë sa të vjetrit, po aq gënjeshtarë sa ata, po aq të etur për pushtet personal sa janë në gjendje t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit, si dhe ata, me një fjalë në fund do thonë se KËTA JANË TË GJITHË NJËSOJ, SI TË RINJTË DHE TË VJETRIT.

Ky konkluzioni i tyre, është legjitim dhe i arsyeshëm. Për këtë arsye ata kanë vetëm dy rrugë ditën e votimit:

  1. Ose të rrinë në shtëpi, pra të bojkotojnë zgjedhjet.
  2. Ose të kthejnë mendje e të votojnë për të korruptuarit e vjetër Rama-Berisha, më mirë se sa për kopjet e tyre qumështorë, të papjekur dhe të pa zotë për të qenë të ndryshmit e të vjetërve.

Dihet, që zhgënjimi i parë i tyre nga politika e vjetër, kur shoqërohet me një zhgënjim të dytë për të njëjtat arsye, por nga politikanë të rinj tek të cilët ata varën shpresën për ca muaj, kjo është u trondit vetëdijen, i traumatizuar, i frenon.

Në këto kushte ata votues sqimëtarë dhe inteligjentë zgjedhin më mirë statuskuonë, Rama-Berisha se sa një eksperiment të gabuar Lapaj, A.Shehaj, Qorri etj.

Si përfundim, lind pyetja pse ndodh e gjitha kjo luftë e gabuar por e egër midis kryetarëve të rinj të partive të vogla?!

Përgjigjen e gjejmë në një perifrazim të politikanit të shquar të kristian-demokratëve italianë, njërit prej etërve të Evropës së Bashkuar, Akile De Gasper, i cili na thotë se: “Një politikan mendon thjesht për zgjedhjet e ardhshme(për karrigen personale të deputetit në rastin konkret,-them unë), ndërsa, një burrë shteti mendon për gjeneratat e ardhshme”.

Ee pra, në rast se këta palo kryetarë të vetëshpallur, që pretendojnë se përfaqësojnë politikanin e ri, që pretendojnë se janë kundër kryetarokracisë, partitokracisë, korrupsionit, dhunës verbale, politikës konflikteve, pro meritokracisë, tolerancës, bashkëpunimit, dhe mbi të gjitha që pretendojnë se të parat kanë interesat e qytetarëve dhe të vendit e jo të tyre, ja se çfarë bëjnë sot paturpësisht;

(i) refuzojnë të bashkohen në një pol të tretë për ta goditur si një bllok i vetëm murrin e trashë të kështjellës ku është strehuar politika e vjetër, sepse nuk mendojnë për nesër, për gjeneratën e ardhshme, siç thotë De Gasper, por mendojnë për një b*thë vend deputeti sot në parlament, pra mendojnë si politikanë të rëndomtë, thjesht për vete.

(ii) po sillen njësoj si tek ajo fabula që kur e pyetën dikë se çfarë dhurate do nga mbreti, u tha që t’i merrenin lopën fqinjit të tij që Mbreti ia kish falë pak më parë.

Paskan lindur me këmishë këta punistët që na la pas Ramiz Alia, pra dyshja Rama-Berisha me oborrtarët e tyre, për aq kohë sa votuesit shqiptarë ende pas 34 vitesh pluralizëm, nuk po gjejnë dot një politikan të hajrit, të zotë, të vendosur, të qartë në vizion dhe objektiva, që të ngrihet mbi nivelin e interesave të çastit, mbi interesin e vogël personal, duke u sakrifikuar për interesin e përgjithshëm të shqiptarëve dhe të vendit.

Dikë pra që të na bindë se nuk është një politikan i thjeshtë, por një burrë shteti që di të marë në dorë fatet e vendit, që është gati tek e fundit të bëhet “therur” për idealin.
Personalisht ende nuk shoh politikanë me të tillë empati për njerëzit, për shoqërinë, për atdheun, për fat të keq.
Gjithsesi le të rimë e të presim se ndoshta deri në zgjedhje, mbase e pikasim ndonjë të tillë karakter me qëllim që atë ditë të shkojmë të votojmë më mirë se të shijojmë week end-in. Apo jo?!

Latest articles

Related articles