Hitleri ishte i tmerrshëm sepse ishte komunist, dhe mund ta themi këtë sepse ai i shtetëzoi të gjitha industritë e rëndësishme. Sa i përket hebrenjve të sotëm, ata janë jashtëzakonisht të cenueshëm ndaj krimit të myslimanëve dhe mbrohen më së miri nga Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë.
Këto ishin argumentet kryesore që artikuloi Alice Weidel, kandidatja e AfD për t’u bërë kancelare, gjatë një bisede live në rrjetin X me multimiliarderin Elon Musk. Biseda e tyre e cilësua si një intervistë, por nuk ishte e tillë. Ishte një marrëveshje biznesi: njeriu më i pasur në botë mbështet një nga partitë më ekstreme të krahut të djathtë në Evropës dhe udhëheqësja e saj i bën atij nderimet e duhura.“Kjo është një situatë e re për mua. Është hera e parë kur nuk censurohem apo komentohem negativisht”- tha Weidel me nervozizëm, kur u pyet për të përmbledhur me pak fjalë se çfarë përfaqëson partia e saj. Gjatë gjithë karrierës së saj interesante, Weidel ka bërë gjithçka për të ecur përpara dhe për të rënë në sy.
Ajo është një grua me bindje të prodhuara me mjeshtëri, që i përshtaten kërkesave të momentit të opinionit publik. Për të dalë në krye, ajo ka goditur nga para dhe pas shpine të gjithë rivalët e saj në parti dhe jo vetëm. Megjithatë, pavarësisht se sa shumë përpiqet të kënaqë ata që kanë rëndësi, ajo bën një përshtatje të gabuar.
Siç u shpreh Melanie Amann, zëvendësredaktore e Der Spiegel, kur Weidel u bë i njohur për herë të parë: “Si mund të rezistojë një grua lezbike, që rrit dy fëmijë së bashku me partneren e saj, brenda një partie që i përçmon homoseksualët dhe lezbiket?
Dhe si mundet një ekonomiste me shtëpi në Zvicër, që ka jetuar disa vite në Kinë dhe që ka punuar për kompani të rrjeteve globale, të bëjë propagandë për një parti që dëshiron të ruajë “identitetin” kombëtar të Gjermanisë dhe të mbyllë kufijtë e saj?
Mund të vazhdoni të pyesni, po nuk do të merrni ndonjë përgjigje nga vetë Weidel. Edhe në bisedën e saj me Musk, mega-vëllain e teknologjisë që përfaqëson fraksionin e shtetit të vogël dhe me taksa të ulëta në projektit Trumpian, pyetja për kontradiktën e thellë midis personit Alice Weidel dhe politikës së saj, nuk u ngrit në asnjë moment.
Përkundrazi të dy pohuan se janë “libertarianë konservatorë”, duke kundërshtuar rolin e shtetit. Tek Alice Elisabeth Weidel, nuk ka asgjë veçanërisht tërheqëse, përveç faktit që gjyshi i saj, Hans, ishte një gjykatës i shquar nazist.
Babai i saj, Gerhard, ishte menaxher shitjesh dhe ajo lindi në vitin 1979 në qytetin e lindjes së nënës së saj, Gütersloh dhe u rrit në Versmold, dy qytete në qendër të Gjermanisë. Shokët e klasës e kujtojnë si një vajze më një karakter “dominues” dhe ndonjëherë arrogante.
E reja “Lille”, siç ishte pseudonimi i saj, ishte mirë në shkollë, dhe në vitin 2004 u diplomua me nota të larta në Universitetin e Bayreuth. Më pas nisi punë në Goldman Sachs Asset Management, por nuk qëndroi gjatë, një tipar që do ta tregonte gjatë gjithë karrierës së saj korporatave.
Kaloi në Allianz Global Investors dhe më pas shkoi 6 vjet në Kinë, ku punoi për doktoraturën, përpara se të niste punën në Bankën e Kinës. Më pas përfundoi në mënyrë të çuditshme në qytetin e vogël të Bad Rothenfelde në Saksoninë e Ulët, në një kompani të specializuar në përpunimin e mishit dhe ushqimin e kafshëve.
Por sërish nuk qëndroi gjatë, dhe më tej nisi të punonte si konsulente e vetëpunësuar për bizneset e reja. Por përse karriera e saj dukej se po ngecte, pas një fillimi aq të mirë? Pikërisht në atë kohë, në vitin 2013, ajo iu bashkua AfD-së, e entuziazmuar nga armiqësia e saj ndaj euros. (shpesh harrohet se rrënjët e partisë qëndrojnë tek euroskepticizmi).
I ngjiti shpejt shkallët e karrierës partiake. Dy vite më vonë u bë anëtare e komitetit ekzekutiv, ndërsa në vitin 2017 bashkë-drejtuese e fushatës elektorale. Wiedel nuk e fshehu seksualitetin e saj; por nga ana tjetër nuk donte të fliste për të.
Mariam Lau, një gazetare e “Die Zeit” që mbulon të djathtën gjermane, thotë se Alexander Gauland, bashkë-udhëheqësi dhe rivali i saj në atë kohë, foli për shumë letra plot zemërim që merrte nga anëtarët e partisë, të cilët e pyesnin se përse “një njeri si ajo” ishte në krye të partisë.
Në prill 2017, në një kongres partie në Këln, ajo e preku për herë të parë hapur këtë çështje. Ose më saktë e bëri në mënyrën e saj, duke përdorur sarkazmën. “E si mund të jetë dikush si unë në një festë të tillë?! Unë jam një homoseksuale!”- deklaroi ajo para audiencës, duke u shtirur si i tronditur dhe duke filluar të qeshte.
“Ajo dëshiron që të ketë kontroll të plotë mbi atë që gazetarët shkruajnë për të, dhe përpiqet të shmangë kujtimin e vazhdueshëm të partisë së saj se sa e ndryshme është ajo”- thekson Lau. E djathta ekstreme në disa vende evropiane, si në Holandë, ka ripërdorur dhe instrumentalizuar të drejtat e homoseksualëve për të krijuar mbështetje për pozicionet kundër migracionit.
Në maj 2016, Weidel anuloi një takim të planifikuar me kreun e Këshillit Qendror të Myslimanëve. Ajo donte të mos kishte asnjë lidhje me “përkrahësit e ligjit të Sheriatit”, të cilët nuk ishin distancuar nga “praktikat e epokës së gurit”. Ajo përdor rregullisht termin “bandat myslimane”, duke deklaruar: ”Si grua, dua të jem në gjendje të marr trenin e orët së fundit në mesnatë për t’u kthyer në shtëpi pa pasur frikë!”.
Në manifestin e saj, hartuar edhe nën kujdesin e Weidel, AfD i referohet “programeve të motivuara politikisht” që “nuk kanë vend në shkolla”. Sa i përket të drejtave të trans-gjinorëve, Wiedel tha në një intervistë televizive se “kultura pop e një pakice po promovohet, ndërsa prindërit pyesin veten se si t’i mbrojnë fëmijët e tyre nga ajo në kopshte dhe shkolla”.
Përtej luftës kulturore, manifesti i AfD-së për zgjedhjet e 23 shkurtit është i thjeshtë për çështje të tjera politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për ekonominë, gjë që ndoshta nuk është befasuese duke pasur parasysh se e djathta ekstreme në Evropë dhe SHBA është kaq konfuze. AfD flet për çlirimin e tregut të punës nga “kufizimet e panevojshme”, dhe për ndryshimin e të ardhurave bazë minimale për të stimuluar punën.
Por përtej thirrjes për më shumë mbështetje për fëmijët (fiksimi i të djathtës ekstreme me rënien e numrit të lindjeve mes “gjermanëve të vërtetë”), ajo mbron ekonominë sociale të tregut, e cila ka qenë baza e shoqërisë gjermane të pasluftës.
Edhe në kulmin e hegjemonisë së tregut të lirë global në vitet 1990-2000, gjermanët ishin dyshues ndaj politikave ekonomike “liberale” anglo-saksone. Është një terren i ndërlikuar për Weidel, e cila ndihet më komode kur flet për tema më provokuese në aspektin ideologjik.
Ajo vlerësoi çdo mendim që shfaqi Musk gjatë bisedës midis tyre. Weidel e përkëdheli mjaftueshëm egon e Musk, saqë ai u tha gjermanëve që të votojnë për partinë e saj. “Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë!”- deklaroi multimiliarderi. Po sa do ta ndihmojë AfD-së lidhja me Musk?
Sondazhet në Gjermani, të cilat kanë tendencën të jenë shumë të sakta, e renditin në 20 për qind, një shifër kjo tronditëse në një kontekst historik. Kushtetuta e pasluftës, vendosi një prag të lartë prej 5 për qind, duke besuar se kjo do të mjaftonte për të mbajtur grupet ekstremiste jashtë Bundestagut dhe parlamenteve rajonale.
Por kjo nuk është më kështu. Partia e Weidel ka ndërtuar një bazë mbështetëse të qëndrueshme.
Shifrat e sondazheve kanë ndryshuar shumë pak që nga mesi i nëntorit, kur Olaf Scholz u përplas me liderin e Demokratëve të Lirë, një nga partnerët e tij në koalicion, dhe e shpërndau qeverinë e tij.