Vetëm në Shqipëri nuk lëviz gjë – ANALIZA

spot_img

nga Edmond Arizaj

Gjithë Bota është në furtunë politike. Të djathtët po shfaqen ngado, ku ekstremisht e ku të kamufluar. Të majtët janë mpirë e nxirë nga SHBA në Poloni, e po sillen si miza pa kokë. Realitetet dhjetëra vjeçare vendosur e mbivendosur vit pas viti, po prishen me shpejtësi.
Demokracia po humbet terren dhe të gjithë po përpiqen të ambientohen shpejt. Vetëm në Shqipëri nuk lëviz as gjethja. E djathta vazhdon përpëlitjet. As ka guximin të thotë dy fjalë si simotrat e tjera evropiane, lere atë amerikane.
E majta, e lidhur me nyjen gordiane pas Ramës, as sheh një rrugë të dytë, veç rrugës ku i shpie ai. Gjithë halli i së djathtës përmblidhet në hallin e Berishës, e gjithë vizioni i së majtës përmblidhet në qefbërjen ndaj vizionit të Ramës. Themelet e demokracive dhe superdemokracive të Botës po plasariten, e Shqipëria ende nuk është e orientuar, ende i përmbahet axhendës së 15-20 viteve më parë, ende beson tek politika e atrofizuar.
Shqipëria duhet të shkundet. Shqiptarët duhet ta shkundin. Berisha dhe Rama janë rrezik. I dyti, nga ëndërra e liderit global, harron gjithmonë se çfarë përfaqëson dhe nga dëshira për t’u bërë i pëlqyeshëm për të fuqishmit merr përsipër qëndrime që në fund dëmtojnë a mund të dëmtojnë vendin.
Një deklaratë e dikurshme kundër Trump, mund të mos jetë harruar dhe Sazani nuk e fshin kaq kollaj. “Hakmarrja” amerikane mund të jetë thjesht një teshtimë, por për Shqipërinë mund të kthehet në furtunë. Imagjinoni të ndalet mbështetja politike ndaj SPAK. Një tjetër qëndrim pa vizion ishte kundër Rusisë, hapur disa herë.
Një vend pa benevrekë, e jo më ushtarë, që i bën sfidë një superfuqie. Enver Hoxha të paktën kishte avionë, nëndetëse dhe 2 milionë barktharë nën komandë. Sa realisht ka Rama?! Mund edhe që SHBA e Rusia as i mbajnë mend fjalët në jerm të Ramës, por ky është bast i madh.
Ndërsa i pari, Berisha…në fakt për ne është turp që ai vazhdon e synon ende pushtet. Bota ndoshta po merr drejtim të gabuar, ndoshta jo, por njëherë për njëherë po shkëputet nga e majta liberale.
Shqipëria, imagjino, ende nuk është shkëputur nga e majta komuniste; dy përfaqësues tipik të saj, janë prej 20 vitesh o në pushtet, o në opozitë. Në 11 Maj, justifikimi “ku janë të rinjtë” nuk pi më ujë. Të shpresojmë se edhe Shqipëria do i trazojë ujërat e saj të ndenjura. Shpëtimi nga “Shilla” dhe “Karitba” është e para.

Latest articles

Related articles