Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se nuk do të ketë rritje pensionesh. Ai tha se ndryshe nga opozita që nuk ka asgjë në dorë dhe premton gjithçka, qeveria socialiste do të vazhdojë vetëm me dy bonuset, një në fundvit dhe tjetri në pranverë. Shtoi se do të ndërhyhet në skemë, por nuk theksoi se ky dhe si.
“Me reformën e 2014 ne vendosëm kontributet në funksion të pensioneve. Deri para 2014 kontributet nuk ishin premisa për marrjen e pensionit. Tavani deri atëherë ishte 240 euro. Sistemi ishte asistence dhe jo kontributiv dhe kjo ka shkaktuar të gjithë plagën e madhe që po mbyllet.
Të gjithë ata që nuk kanë asgjë në dorë, premtojnë gjithçka të dëshirueshme dhe të paimagjinueshme. Ne nuk e bëjmë dot këtë prandaj do të ecim nga njëra anë me bonuset. Nga një bonus të fundvitit tani kemi kaluar në dy bonuse dhe i kemi lidhur këto bonuse me rritjen ekonomike. Duam që këto bonuse të vazhdojnë.
Paralelisht duke rindërhyrë në sistemin e pensioneve duam të bëjmë një riakselerim dhe e fundit që kam është që kemi akoma hapësirë në luftën kundër informalitetit të pagave. Ka një rritje të pagave në tërësi. Është konstatuar një rritje e pagave dhe kontributeve por ka akoma hapësirë për të marrë më shumë” tha ai.
Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu tha se Informaliteti i lartë dhe nëndeklarimi i pagave dëmton pensionet.
“Skema e pensioneve të 2014 e ka përmirësuar ndjeshëm skemën e pensioneve por emigrimi, Informaliteti shumë i lartë dhe nën deklarimi i pagave po dëmton pensionet. Pensionet private duhet të kenë patjetër një rol plotësues, të jenë shtesë.
Ndryshimet në skemën e pensioneve do të kenë sukses vetëm nëse publiku e kupton nevojën për reformën e pensioneve. Informimi i publikut është më rendësi publike për pasjen e suksesit, keni mbështetjen tonë tek për reformën e sistemit të pensioneve”, tha ajo