Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas akuzave të Partisë së Lirisë për ndalimin e Fredi Belerit dhe kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule, nga takimi me Ilir Metën në burgun “313” në Tiranë.
SPAK ka sqaruar se, bazuar në nenin 51 të ligjit nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, vizitat e deputetëve në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nuk kërkojnë autorizim nga Prokuroria, por janë në kompetencë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ky sqarim vjen pas deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili e cilësoi ndalimin e takimit si një akt skandaloz dhe bëri thirrje për reagim nga institucionet shtetërore dhe organizatat ndërkombëtare.
Reagimi i plotë i SPAK:
Në bazë të nenit 51 të ligjit nr.81 të vitit 2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale mund të vizitohen nga deputetë, pa autorizimin paraprak të Prokurorit.
Në këtë rast, miratimi jepet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Deri në orën 15:15 të dt.31.01.2025, në protokollin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga shtetasit Alfred Beleri dhe Vangjel Dule për të takuar ndonjë të paraburgosur.