Homazhet për Janullatusin, Rama: Pasuesi i tij do të jetë shqiptar!

spot_img

Në fjalën e tij në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, kryeministri Edi Rama deklaroi se Kryepeshkopit Janullatos po largohet nga kjo botë si Anastasi i Shqipërisë. Përgjatë 33 viteve në vendin tonë, Rama tha se se ai arriti të ringrijë Kishën Autoqefale të Shqipërisë dhe të përcillte mesazhe bashkimi e paqeje.

“Ai erdhi në Shqipëri si një prift nga Greqia, por largohet si Anastasi i Shqipërisë. E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë, por durim…”, theksoi Rama.

Gjithashtu Rama citoi edhe amanetin e Janullatusit që pasardhësi i tij të jetë shqiptar.

‘Sa prekëse është në koherencën stoike të jetës së tij baritore dhe gjithëaq shpartalluese për të gjithë paragjykuesit dhe dyshuesit e tij prania e këtij trupi pajetë të rilindësit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, pohimi i tij botërisht pak kohë më parë në një intervistë të dhënë për shtypin grek e cila tingëllon më shqip se shqipja e kujtdo që e ka paragjykuar vetëm e vetëm se ishte grek Kryepeshkopin shqiptar i cili tha se “pasuesi im do të jetë shqiptar”.

Unë kam që në vitin 1963 që udhëtoj nëpër botë. Kam repsektuar ta mësoj tjetrin siç është, të mendoj për të drejtat e tij. Imagjinoni të kishim në Greqi një situatë të ngjashme, a do ta pranonim të drejtonte Kishën e Greqisë një bullgar apo serb, sigurisht që jo. E konsideroj të mirëqenë që pasuesi im të jetë shqiptar. Ne nuk shkuam në Shqipëri për të bërë një koloni, por për të bërë një Kishë Autoqefale të Shqipërisë.”, deklaroi Rama duke cituar fjalët e Kryepeshkopit të ndjerë.

Kryeministri më pas lavdëroi punën e Kryepeshkopit Anastas Janullatos për ringjalljen e besimit dhe ribashkimin e besimtarëve në vendin tonë pas rënies së komunizmit.

“Plot 33 vite ungjizim në viset e Shqipërisë, janë një shifër tejet domethënëse dhe jo vetëm pse përputhen me moshën e Jezu Krishtit. Jeta e Anastas Janullatosit ishte tërësisht e përmbushur, përderisa përmes saj u realizua ëndrra e një fëmije. “Kur isha fëmijë, kujtonte kryepeshkopi i ndjerë, nuk doja të bëja diçka për zotin, por t’i jepesha tërësisht atij”…”, tha Rama në fjalën e tij gjatë ceremonisë së lamtumirës për Kryepeshkopin.

Ai shtoi se pavarësisht se figura e tij disa herë edhe u anatemua, për shkak të konflikteve mes Shqipërisë dhe Greqisë, askush nuk mund të mohojë rolin e tij në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.

“Personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të Kishës janë qëmtuar, admiruar, bekuar e qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhlisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri dhe zjarret e konflikteve fëmijërore të fqinjësisë sonë, të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e Kishës. Por edhe kjo, më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një botë ku gjithnjë e më shumë janë ata që frynë andej nga fryn era. Por përtej zjarreve andej e këndej kufirit pas gjysmë shekulli heshtjeje mortore, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim, autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit, për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim e durim të madh”, tha Rama

Latest articles

Related articles