Partia Demokratike ka nisur punën për procesin e primareve prej të cilit do të dalin kandidatët për deputet në zgjedhjet e 11 majit.
PD njoftoi sot të gjithë kryetarët e degëve lidhur me garën dhe sqaroi se të gjithë ata që duan që të garojnë në Primare, do duhet që të japin dorëheqjen nga drejtimi i degëve të PD.
Bëhet gjithashtu me dije se afati i fundit për të depozituar dorëheqjen nga drejtimi i degës, që më pas të garojnë në primare, është data 26 janar.
“Për shkak të përgatitjes së rregullores proceduriale të garës për Primare, të cilat do të përzgjedhin kandidaturat elektorale të PDSH për zgjedhjet për Kuvendin 2025; në zbatim të pikës 4 neni 12 të statutit të PDSH. Ju informoj se nëse keni vendosur të garoni në primare, duke u përfshirë në rrethin e kandidaturave elektorale, brenda ditës së Dielë, datë 26 Janar 2025, duhet të depozitoni dorëheqjen tuaj nga pozicioni i kryetarit të degës pranë Sekretariatit të Organizimit”, thuhet në njoftimin e PD-së