“Dhurata kineze” për Trampin – ANALIZA

nga Sebastian Zonja

Në ditën e inaugurimit të presidencës së dytë të Donald Trampit, Pekini zyrtar zgjodhi që t’i bënte dhuratë një sfidë të re administratës republikane. Kinezët nxorrën Çat GPT-në e tyre. “DeepSeek” është konkurenti kinez në garën e LLM (Large Language Models) dhe ka arritur diçka të jashtëzakonshme, sipas ekspertëve – vjen me një të dhjetën e burimeve, kostos dhe ka parametra më të mirë se modelet e avancuara publike amerikane.
Ky inovacion rikthen vëmendjen e SHBA-së tek Kina, duke ja huqur edhe një herë aftësisë së tyre për të inovuar, siç ja huqën në betejën për mikroçipat.

Mënyra me anë të së cilës presidenti Tramp po kërkon të dominojë teknologjitë e së ardhmes është duke derregulluar tregun. Një ndër vendimet e tij të para është pikërisht heqja e rregulloreve për Inteligjencën Artificiale në SHBA.

Gara është e ethshme. Kina nuk ka asnjë barrierë etike. Vendi diktatorial po punon me shpejtësi dhe ka një ndër popullsitë më të shkolluara dhe profesionale në botë. Në këtë aspekt, ndryshe nga vendet kapitaliste, Kina po jep lekë nga buxheti (subvencionon) kërkimet në Inteligjencën Artificiale dhe automjetet elektrike. Amerika, në krahun tjetër, është bazuar mbi kompanitë e saj të mëdha – “Meta”, “Google” apo “Tesla” për të zhvilluar teknologjitë e reja. Është përplasja e dy botëve. Kina në një anë që nuk ka asnjë skrupull në këtë garë dhe kërkon të falimentojë kompanitë e tjera konkurente nëpër botë, duke ulur çmimin e makinave elektrike për shkak të lekëve të subvencionuara, ndërsa Perëndimi duhet të mbledhë forcat për të parë se si do t’i dalë përpara kësaj sfide.
Rreziku i derregullimit është shfaqja e një oligarkie teknologjike në botë, ku Elon Masku dhe Piter Thil do kenë fuqi më shumë se Rokfeleri një herë e një kohë, e në krahun tjetër mund të ndërtojmë rregullore si Evropa, treg kapitalesh nuk ka, ndërkohë merret me filozofira të mëdha morale dhe politike, teksa në garën e këtij shekulli marrim pjesë vetëm me një aplikacion – “Spotify”.

Pavarësisht se na duket e largët, derregulimi i tregut është gurthemeli i mendimit ekonomik konservator dhe të djathtë. Kemi rrëshqitur shumë majtas në qasjet mbi ekonominë, duke menduar se si të sigurojmë mirëqenie, garë sigurie dhe zhvillim pa prodhim. Reduktimi i ndërhyrjeve qeveritare me anë të agjencive të ndryshme fuqizon bizneset, nxit inovacionin dhe çliron potencialin e plotë të tregjeve të lira. Theksi i administratës Trump tek derregulimi është shembull i angazhimit të tij për të siguruar që SHBA-të të udhëheqin në fushën e inovacionit teknologjik këtë shekull. Megjithatë, në kontekst global, kur krahasohet me qasjen e Kinës që drejtohet nga një parti-shtet, duhet parë me kujdes ekuilibri mes nxitjes së inovacionit dhe adresimit të rreziqeve.
Administrata Baiden ndërtoi mekanizma të agjencive federale për të mbikqyrur kërkimet mbi Inteligjencën Artificiale, duke nxitur transparencën, sigurinë dhe bashkëpunimin. Ndërkohë, sipas Trampit, këto shqetësime etike kanë ngarkuar industrinë aq shumë sa mund të humbasim garën me Kinën. Administrata e re kërkon të shfrytëzojë avantazhin e saj konkurrues në sektorin privat. Gjigantët teknologjikë si “Google”, “Microsoft” dhe “Amazon” do të financojnë më shumë për programet e IA-së, makinat elektrike, makinat autonome, AGI-në dhe Modelet e Mëdha Gjuhësore. Këto inovacione nuk janë vetëm motorët ekonomikë të këtij shekulli, por kanë rëndësi kritike për sigurinë kombëtare që SHBA-të të ruajë dominimin global në teknologjitë e reja.

Çfarë rrezikojmë?

Mungesa e mbikëqyrjes së agjencive qeveritare mund të çojë në keqpërdorim e teknologjisë dhe krijimin e monopoleve të mëdha. Privatësia zhduket totalisht dhe politikën nuk e bëjnë më deputetët dhe senatorët, por ata që kanë korporatat e fuqishme. Kina operon aktualisht me një model të kontrolluar nga shteti. Pekini e konsideron IA-në aset strategjik dhe ka shpërndarë miliarda dollarë për të dominuar këtë sektor në rang global. Kjo qasje mundëson të shkojmë drejt një sistemi të cilësuar “surveillance capitalism”, ku çdo qytetar është i përgjuar dhe liria është thjesht në letra.
Deri më tani u mendua se Kina, me anë të këtij modeli nuk inovon dot. Duke parë shpikjet e fundit, kjo paradigmë mbi të cilën ka ndërtuar përfytyrimin e tij Perëndimi mbi Kinën, po fillon të bjerret. SHBA-ja, me qasjen e saj të fortë të orientuar kah tregu i lirë, mbetet e mirëpozicionuar si lidere në shpikjet e reja teknologjike. Ndëkrohë, çelësi është tek ekuilibri mes nxitjes së inovacionit dhe zbutjes së rreziqeve për shoqërinë.

Latest articles

Related articles