Basha: Programi NEXTGEN garanci për 25 mijë të rinj! Meritoni më shumë

spot_img

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se largimi masiv i të rinjve nga vendi është pasojë e mungesës së meritokracisë, korrupsionit dhe një sistemi të dobët arsimor. Ai thekson rëndësinë e një qasjeje të re për të shfrytëzuar potencialin e të rinjve shqiptarë, veçanërisht në fushën e teknologjisë dhe sipërmarrjes.

Në kuadër të programit NEXTGEN, Basha prezantoi disa iniciativa për përmirësimin e arsimit dhe ekonomisë, duke përfshirë:

Reformimin e arsimit universitar për të prodhuar profesionistë të përgatitur për tregun e punës.

Punë 1-vjeçare për 10,000 të rinj si pjesë e përgatitjes së tyre profesionale.

Krijimin e katër kampuseve kombëtare për trajnimin e 25,000 të rinjve në fusha si teknologjia e informacionit.

Bursa studimi për studentët ekselentë dhe ata me vështirësi ekonomike. Lehtësira fiskale dhe mbështetje financiare për sipërmarrjet e reja të krijuara nga të rinjtë deri në 30 vjeç.

Basha më tej thotë se Shqipëria meriton më shumë dhe për këtë kërkon mbështetjen e qytetarëve në 11 maj për ta shndërruar rininë shqiptare në protagoniste të zhvillimit të vendit.

Postimi i Bashës:

Largimi masiv i të rinjve, i nxitur nga mungesa e meritokracisë, korrupsioni endemik, pagat e ulëta dhe një sistem arsimor i dobët, është një alarm i madh për të ardhmen e vendit. Kjo situatë është produkt i një qeverie që ka braktisur rininë. Me një potencial të jashtëzakonshëm të rinjsh të talentuar, vendi ynë ka kapacitetin të shndërrohet në aktorin kryesor rajonal në fushën e teknologjisë dhe të tërheqë investime serioze e të mëdha. Ne kemi hartuar një model ekonomik që inkurajon sipërmarrjen e lirë, të mbështetur nga një qeveri e vogël dhe transparente, që përshtatet me sfidat e reja të kohës.

Me programin e Demokratëve Euroaltantikë NEXTGEN, për një ekonomi të re për brezin e ri:

🔵Arsimi universitar do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, e cila synon të mundësojë që universitetet shqiptare, të prodhojnë profesionistë të përgatitur për tregun e punës;

🔵 Punë e paguar 1-vjeçare për 10,000 të rinj për t’i aftësuar profesionalisht si urë lidhëse mes shkollës dhe tregut të punës;

🔵 Krijimi i 4 Kampuseve Kombëtare ku do të trajnohen 25,000 të rinj në fusha prioritare si teknologjia e informacionit dhe programimi.

🔵 Bursa për studentët dhe doktorantët ekselentë në 15 universitetet më të mira në botë;

🔵 Bursa të plota për studentët ekselentë;

🔵 Sigurimi që asnjë i ri të mos mbetet pa shkollë për shkak të pamundësive ekonomike.
Bursa për çdo student nga familje me të ardhura të ulëta;

🔵 Bursa studimi për vajzat nga familjet me vështirësi ekonomike dhe zonat rurale.

🔵 Krijimi i Fondit Shqiptar për Shkencë, Inovacion dhe Zhvillim, ku mund të konkurrojnë të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë.
🔵 Lehtësira fiskale dhe mbështetje me grante ose programe garancie shtetërore për bizneset që hapen nga të rinjtë deri në moshën 30 vjeç.

Ne kërkojmë mbështetjen tuaj në 11 maj🗳️, për të ndërtuar këtë urë drejtë së ardhmes, që bën bashkë botën e arsimit dhe atë të sipërmarrjes, dhe së bashku me planin tonë për taksat e ulëta dhe luftën kundër korrupsionit, mund të çelim një kapitull të ri për zhvillimin e vendit, ku rinia do të jetë protagoniste me talentin, vizionin dhe energjinë e saj. Shqipëria meriton më shumë🇦🇱

Latest articles

Related articles