Ilir Meta nga burgu në listën e PD?

nga Indrit Vokshi

Ska habi, madje ska as problem. Luftën civile në PD e fitoi “shumica” dhe nuk e fitoi për t’i dhënë llogari “opinionit publik”, as për tu mbajtur përgjegjëse duke iu nënshtruar ndonjë rregulli, ose ndonjë principi, ose ndonjë adeti të qytetërimit politik.

Po ta njihnin përgjegjësinë apo principin, do t’i kishin thënë Sali Berishës, je i pafajshëm? Dil i pafajshëm në gjyq, fito pafajsinë, dil i nderuar, mos merr në qafë një parti të tërë, se skemi terezi që e katandisim partinë në batalion. Por nuk e bënë ketë. Nuk e bënë pasi iu nevojitej një diktator suprem, një diktator imagjinar i cili sipas imagjinatës së tyre, edhe do vendoste demokraci në parti, edhe do i imponohej Amerikës, edhe do zhdukte Ramën brenda 6 muajsh, edhe do spastronte tradhëtarët e brendshëm.

Asnjërën nga imagjinatat e tyre nuk i realizoi. As ka për t’i realizuar. Tani iu ka mbetur imagjinata e fundit, imagjinata sikur pa atë, armiku vendor apo sorosian do iu shkojë në shtëpi natën dhe do iu nxjerrë sytë, apo do iu therë fytin. E keni dëgjuar Sali Berishën çfarë iu thotë në fjalime? Iu thotë deshën të asgjësonin Partinë Demokratike, pra dmth të gjithë ata që mund ta drejtonin PD pa të, nuk quhen demokratë, sepse demokrati fillon me të e mbaron me të, ska demokrat as të djathtë pa adhuruar atë personalisht. Pa atë të gjithë zhduken. Sekt, kult. E mbi ketë frikë tani, ata imagjinojnë sikur po i mbron Sali Berisha. O nuk është konjuktura europiane për diktaturë, nuk lejon koha atë sistem, se të jetë për Berishën na therin të gjithëve.

Prandaj Ilir Metën, edhe pse vetë e kanë akuzuar për vrasës, trafikant fëmijësh, droge, femrash, do ta pranojnë demokratët e vërtetë, duke imagjinuar se Meta me Berishën bëjnë namin, siç besuan në zgjedhjet bashkiake se po dolën Meta e Berisha në fushatë, ka fitore. Humbën edhe Tropojën.

Shumica partiake vendosi çfarë drejtimi do marrë partia. Njëlloj edhe shumica e shqiptarëve vendos se çfarë drejtimi merr Shqipëria.

Ilir Meta sot, për ata, është demokrat, student i dhjetorit, njeri besnik, burrë me vlera. Kurse demokratët që kanë pasur qëndrim ndryshe, janë tradhëtarë të demokracisë, familje komuniste se pa dyshim do iu gjendet ndonjë kushëri anëtar i PPSH koleg me Berishën, janë të pabesë, janë pa vlera etj.

Kjo vetëm sepse ata demokratët e tjerë nuk pranojnë të mbeten skllevër të asaj imagjinatës së rrejshme që përmenda. Pra mos u çuditni hiç, ju keni punuar 30 vjet për PD, jeni sfilitur e sakatuar, jeni harxhuar e falimentuar, jeni rrezikuar e trishtuar, për shumicën, pra për sektin, ju nuk quheni demokratë.

Ndërsa Ilir Meta është demokrat, një demokrat më i pastër se ju, se ai as ka lidhje me korrupsionin e vjedhjen por quhet i burgosur politik (edhe pse vetë Berisha në 2015 e ka akuzuar në parlament si hajdut dhe vrasës), ai ska lidhje as me deformimin e zgjedhjeve, as me blerjen e votës. Ai është më demokrat se ju, kështu ka vendosur shumica.

Prandaj rrini urtë dhe pranojeni realitetin siç është.

Latest articles

Related articles