Gara e ethshme teknologjike – ANALIZA

nga Sebastian Zonja

Nëpër medie të ndryshme sociale gjen shpeshherë këtë krahasim mes shpikjeve që po bëhen në SHBA dhe Kinë, ndërsa Evropa, ironikisht, ka shpikur veç mënyrën se si tapa të qëndrojë në shishe.
Sipas shumë studiuesve, njerëzimi ndodhet pranë një momenti kritik për shkak të përparimeve të shpejta në Inteligjencën Artificiale dhe biologjinë sintetike. Këto teknologji do të transformojnë shoqërinë dhe strukturat e pushtetit. Nëse nuk merren masa, do të vërejmë zhvendosje të pushtetit nga institucionet tradicionale dhe qeveritë drejt një elite të re të kompanive teknologjike dhe inovatorëve. Këtë paralajmërim dha edhe presidenti në largim Xho Baiden, në fjalimin e lamtumirës.
ShBA-të janë në këtë garë dhe po vërejnë se automatizimi i drejtuar nga Inteligjenca Artificiale mund të çojë në shuarjen e shumë vendeve të punës, pabarazi ekonomike dhe trazira sociale, nëse nuk menaxhohet siç duhet. Një pikë tjetër që po merr zhvillim është biologjia sintetike. Përparimet në këtë fushë pritet të demokratizojnë aksesin tek manipulimi gjenetik por, gjithashtu, paraqet rrezik të madh për bioterrorizmin. Ngjashëm me armët bërhamore, edhe këto teknologji të reja kanë nevojë për një qasje globale dhe bashkëpunuese për të qeverisur teknologjitë që tejkalojnë kufijtë kombëtarë.

Beteja për mikroçipat

Ndërkohë, duket se dy konkurentët strategjikë Amerika dhe Kina nuk bien dakord dhe janë në garë të ethshme. Ashtu si beteja për dominim në IA dhe biologji sintetike, lufta SHBA-Kinë për mikroçipat nxjerr në pah rëndësinë strategjike të kontrollit të teknologjive bazë që mbështesin fuqinë ekonomike dhe ushtarake. Industria e gjysmëpërçuesve nuk është thjesht mrekulli teknologjike, por një fushë kritike për dominimin global. Që nga fillimet në Silicon Valley, në ShBA, deri te ngritja e gjigantëve aziatikë si “Taiwan Semiconductor Manufacturing Company” (TSMC) dhe “Samsung”-u në Korenë e Jugut, ShBA-ja me aleatët ishte përpara. Ndërkohë, Kina ka investuar shumë kohët e fundit. Evropa s’ka insvestuar për t’u bërë pjesë e kësaj gare të re të shekullit të XXI. Ambicia e Kinës për të arritur vetë-mjaftueshmëri në prodhimin e gjysmëpërçuesve dhe përpjekjet e SHBA-së për të ruajtur epërsinë teknologjike kanë sjellë një garë me rrezik të lartë për mbarë botën. Së fundmi, kufizimet mbi eksportet e çipave drejt Kinës dhe investimet në prodhimin vendas të gjysmëpërçuesve pasqyrojnë një luftë më të gjerë dhe brishtësinë e zinxhirëve globalë të furnizimit. Ngjarje si pandemia COVID-19 dhe tensionet gjeopolitike theksojnë rreziqet e mbështetjes së tepruar te disa lojtarë kryesorë, veçanërisht Tajvani, i cili prodhon mbi 90% të çipave të avancuar në botë.

Një rast nga historia

Në gjithë këtë panoramë, Evropa e ka humbur çastin e artë. Dikur, shekuj më parë, Perandoria Osmane e humbi betejën me Perëndimin në ditën që në Brtiani u shpik makineria e parë e Revolucionit Industrial. Duke i rezistuar teknologjizimit, Perandoria Osmane, ditë pas dite, veçse dobësohej derisa dha shpirt. Madje, kur Britania (shekulli 18-19) kishte mbi 50 % të qytetarëve të mirëarsimuar, në perandorinë Osmane ishin veç 3 %. Rezistenca ndaj dijes dhe investimeve në teknologji kulmoi në shembjen e dhunshme të Portës së Lartë. Sot, fatkeqësisht, Evropa po ndjek shembullin e Perandorisë Osmane, duke i rezistuar investimeve të mëdha në kërkime teknologjike dhe inovacion.

Latest articles

Related articles