Gliard Gusholli, një emër i njohur për policinë e Tiranës, është arrestuar sërish pas një aksioni të forcave të rendit. Gusholli, i cili ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpiak”, shpërndante lëndë narkotike në kryeqytet, duke shkelur kështu masën e caktuar për të. Një natë më parë, ai dhe Frenkli Permarkaj u kapën në flagrancë nga policia e Komisariatit nr.2, ku gjatë kontrollit u gjetën 23 gram kokainë, dy aparate celularë dhe një automjet.
Kjo nuk është hera e parë që Gusholli përfshihet në ngjarje kriminale. Rreth një vit më parë, ai mbajti peng dhe dhunoi bashkëjetuesen e tij, ndërsa gjatë hetimeve dhe pas ndihmës së familjarëve të saj, ai u arrestua bashkë me tre persona të tjerë. Pas arrestimit, Gusholli përfitoi masën “arrest shtëpiak”, por ai vazhdoi aktivitetin e tij kriminal, duke shpërndarë drogë.
Sot, ai do të përballet me akuzat për thyerjen e masës së sigurisë dhe për prodhimin dhe shpërndarjen e narkotikëve.