nga Sebastian Zonja
Administrata e re e presidentit Donald Tramp, i cili do të hyjë në zyrën Ovale më 20 janar, pritet me shpresë dhe ankth nga vende të ndryshme nëpër botë sa i përket qasjes që do të ndjekë në gjeopolitikë.
Në lëminë e marrëdhënieve ndërkombëtare ka disa shkolla, por ne po përzgjedhim njërën nga shkollat, atë realiste, për të hedhur vështrimin tek një trekëndësh strategjik i sigurisë ndërkombëtare siç është SHBA – Kinë – Rusi. Përballë kësaj shkolle do vendosim atë neoklasike. Po marrim në shqyrtim dy autorë realistë, një teoricien si Xhon Mershaimer dhe një diplomat kalibri si Henri Kisinger. Na e bën më të thjeshtë këtë koment fakti se Donald Trampi ka qenë një herë në Shtëpinë e Bardhë dhe mund të analizojmë disa prej politikave të tij.
Sipas shkollës realiste, me Trampin mund të shohim një rikthim të parimit klasik – secili për vete. Për të parë se kush dominon rendin duhet të shtrojmë pyetjen se cili vend ka forcën më të madhe ushtarake, si balancohen ekuilibrat e fuqisë dhe interesat e secilit. Na rezulton se kemi tre superfuqi – SHBA-në, Kinën dhe Rusinë të fundit, me shumë diferencë. Ideologjitë kanë pak rëndësi përballë stabilitetit global, armëve të shkatërrimit në masë dhe përfitimeve ekonomike.
Realizmi ka premisë thelbësore se rendi ndërkombëtar është anarkik. S’ka asnjë autoritet që mund t’i telefonosh kur ke probleme. OKB-ja dhe institucionet e tjera janë krijuar për platforma dialogu, por vendet e fuqishme nuk është se e pyesin shumë kur duan të realizojnë qëllimet e veta. Përparësi, sipas kësaj shkolle, ka sovraniteti i shtetit dhe fuqizimi sa më shumë që të jetë e mundur, për të mbijetuar dhe për të pasur sa më shumë siguri, që asnjë të mos guxojë të të sulmojë. “Realizmi ofensiv” është shkolla që ka themeluar Xhon Mershaimeri dhe argumenton se vendet shkojnë në luftë për shkak të konkurencës strategjike (për shembull, Vietnami për SHBA-të ishte luftë që mund të shmangej, siç ishte Afganistani për Bashkimin Sovjetik). Përkundrejt kësaj qasjeje qëndron Henri Kisingeri, i cili e vuri në praktikë teorinë, ndërsa ka në fokus shtetformimin dhe ekuilibrimin e fuqisë. Gjithë karriera e tij mund të përmblidhet me fjalinë “Kisingeri tentoi të ruajë rendin ndërkombëtar përmes angazhimit strategjik me të gjitha palët”.
Aktualisht, për SHBA-të kërcënimi më i madh strategjik është rritja e Kinës. Ajo ka bashkëthemeluar formate të rëndësishme si BRICS, “Shanghai Five” dhe po shtyn përpara “Rrugën e mëndafshit” për përfitime ekonomike. Në samitin e fundit të BRICS-it, në Kazan të Rusisë, vendet anëtare u shprehën qartë se kanë synim të revizionojnë rendin e themeluar nga Perëndimi – SHBA – BE. Nga njëra anë është ekonomia, në krahun tjetër, modernizimi ushtarak i Kinës paraqet sfidë të madhe për rendin ndërkombëtar që udhëhiqet nga SHBA-të dhe aleatët. Nën administratën e parë Tramp vumë re përdorimin e këtyre instrumentave:
- luftë tregtare me anë të tarifave,
- shkëputja nga varësia teknologjike kineze,
- forcimi i aleancave të SHBA-së në Indo-Paqësor
Nëse do të vijojë kjo qasje edhe në administratën e dytë, do të vërejmë fokus më të madh amerikan në Azinë lindore ku ndodhen pika të rëndësishme strategjike tregtare dhe aleatë të çmuar për të izoluar fuqinë në rritje të Kinës.
Po ashtu, mund të themi se theksimi i politikave ekonomiko – ushtarake “Amerika e para” mund të sjellë refuzime të njëpasnjëshme të marrëveshjeve multilaterale. Synimi për të ruajtur dhe siguruar interesat e SHBA-së, brenda të gjitha gjasave, do t’i trondisë marrëdhëniet me aleatët.
Ndëkrohë, krahas kësaj politike agresive amerikane, do vërejmë rritje të nacionalizmit kinez. Arsyet mund të derivohen shpejt dhe thjeshtë më logjikën shkak – pasojë: dobësimi ekonomik duhet të kompensohet, ndërsa fqinjët duhet t’u shtihet frika nëse shkojnë në marrëveshje sigurie me SHBA-të. Situata është thikë me dy presa dhe aspak e lehtë për të naviguar. Këtu na shërben Kisingeri që apelon për angazhim dhe dialog për të menaxhuar konkurrencën dhe shmangur përshkallëzimin.
Rusia është fuqi rajonale
Qasja e Trampit ndaj Rusisë nuk do të ketë ndonjë ndryshim nga ajo e demokratëve. Mearshaimeri i sheh veprimet e Rusisë si kundërpërgjigje ndaj zgjerimit lindor të NATO-s, të cilin Moska e percepton si kërcënim për sferën e saj të ndikimit. Publikisht ka deklarata të cilësuara proruse apo akuza të këtilla, ndërkohë, nëse shohim veprimet, administrata e parë e Trampit rriti ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe forcoi praninë e NATO-s në Evropën Lindore. Pati një luftë të heshtur me Gjermaninë, e cila kishte rënë nën influencën ruse. Trampi, nga njëra anë përdorte tone pajtuese me Putinin, në krahun tjetër i tregonte dhëmbët. Strategjikisht, sipas Mershaimerit, administrata Tramp kërkonte angazhim më të madh me Rusinë për të parandaluar afrimin e saj me Kinën. Gjatë administratës së dytë, nëse vërejmë komentet nga njërëz të afërt në kabinet, do të tentohet afrimi me Moskën dhe çelja e diskutimeve në nivele të ndryshme. Për shembull, një nga pikat prej nga mund të nisin diskutimet janë marrëveshjet për armët strategjike. Tërheqja e Trampit nga marrëveshjet për kontrollin e armëve rriti tensionet, pa ofruar një udhë të qartë se ku synohej dhe cënuan stabilitetin strategjik. Qasja konfrontuese e Trampit me fuqitë e tjera nxori në pah natyrën e administratës së tij, ndërkohë tregoi një mangësi të madhe – mungesën e koherencës strategjike, siç vënë në pah kritikët. Pavarësisht rendjes pas unilateralizmit amerikan, SHBA-të nuk konkurojnë dot të vetme përballë bllokut tjetër të sigurisë sino-rus.
Në këtë moment na vjen në ndihmë neoklasiku Farid Zakaria. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara, megjithëse ende fuqi dominuese në botë, po përballen me ngritjen e fuqive të tjera si Kina dhe India. Ky cikël po sfidon hegjemoninë tradicionale amerikane. Në një anë amerikanët kërkojnë më shumë për vete dhe nën këtë logjikë, Trampi thoshte se nuk më duhet të qëndroj nëpër angazhime ndërkombëtare që rëndojnë në supet e mia. Aleancat, marrëveshjet tregtare dhe institucionet globale janë transaksionale. Por kjo është rruga e thjeshtë sepse sa më egoist të jesh, aq më shumë shpejton gremisjen. Zakaria argumenton se fuqia e Shteteve të Bashkuara buron prej aftësisë me udhëheq dhe formësu rendin global përmes institucioneve, aleancave dhe promovimit të vlerave të përbashkëta. Tërheqja nga Marrëveshja e Klimës së Parisit, minimi i aleancës së NATO-s dhe luftërat tregtare, minon strukturat që Zakaria i identifikon si shtylla të ndikimit global të Amerikës. Dominimi ekonomik botëror i Amerikës mbështetet tek gatishmëria amerikane për t’u angazhuar dhe formësuar rrjete tregtare globale, por duke iu kthyer proteksionizmit, Trampi rrezikon ta izolojë vendin. Në të ardhmen do ketë kosto më të larta për konsumatorët amerikanë, tarifa që vendet e tjera do i vendosin SHBA-së dhe marrëdhënie të tensionuara me aleatët kryesorë. Sipas Zakarias Kina ka përfituar prej tërheqjes së Amerikës nga globalizimi. Ai sjell këtë rasti – kur Trampi tërhoqi SHBA-në nga Partneriteti Trans-Paqësor (TPP), Kina zgjeroi ndikimin e saj përmes nismave si “Rruga e mëndafshit”. Po ashtu, politikat migratore të administratës së re do të ndikojnë, me gjasë, tek ngritja e një klime përjashtuese. Kësisoj, Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të humbin avantazhin e tyre konkurrues. Kjo, brenda pak vitesh, do ndikojë drejtëpërdrejtë tek fuqia e butë e Amerikës – aftësia për të tërhequr dhe frymëzuar nga mbarë bota përmes vlerave dhe kulturës së saj. Në librin e tij “Bota Pas-Amerikane”, Zakaria shkruan se rënia relative e Shteteve të Bashkuara është pjesë e një trendi historik. Ngritja e fuqive të tjera – Kina, India, Brazili – është e pashmangshme. Nga ky këndvështrim, politikat trampsite mund të shihen si reagim ndaj ndryshimeve në ekuilibrat e pushtetit – “Amerika e Para” është një përpjekje për të riafirmuar dominimin amerikan në një botë, ndërsa ky dominim nuk është më i sigurt. Është interesante të shohim se si një president që e shenjon qasjen e tij me izolacionizëm, nacionalizëm dhe unilateralizëm do ja dalë përballë një bote multipolare.