Nuk ka votë që vidhet e rrugaç që mund të tjerërsojë vullnetin e votës kur krijohet fryma për të ndryshuar

Jonuz Myshketa, Durrës

Ndodhemi sot 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare, dhe situata është më e ndërlikuar se kurrë në lidhje me ndryshimin e drejtimit të qeverisë së ardhshme, që duket kaq i pamundur…

Situata politike është tejet toksike dhe realisht shpreh qartë gjendjen e një vendi në tërësi.

Gjëra që në dukje janë kaq të thjeshta, sa në çdo bisedë me miq, kolegë e qytetarë të shumtë, shprehet i njëjti shqetësim: Rama është i “pathyeshëm” dhe kjo jo sepse është një super njeri a super politikan, por sepse nuk ka vullnet politik nga kampi opozitar, i shkrirë si një gotë e thyer e qindra grimkave qelqi të shpërndara kuturu.

Duhet kuptuar se çdo kush prej nesh nuk mund të shpëtojë gjykimit të kohës si pasojë e veprimeve të bëra gjatë rrugëtimit tonë, e aq më tepër politikanët që janë në qendër të vëmendjes, dhe pasojat e tyre i vuan një vend i tërë, si në rastin tonë. Andaj, duhet lënë mënjanë tifozllëqet qorrazi dhe arsyeja duhet të prevalojë mbi impulsivitetin dhe idhujtarinë, e cila është e dënueshme që në krye të herës, gdhendur qartë në librat e shenjtë.

Ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe shumë larg ndryshimit të kursit të një politike që duhet të kishte kapitulluar me kohë.

Aktorët dhe faktorët politikë duket qartazi se nuk kanë vullnet për t’i shërbyer një herë të vetme vendit dhe njerëzve që i kanë mbështetur dhe i kanë dhënë më tepër se ç’kanë merituar deri më sot, por nuk po duken në horizont shenjat për t’i shlyer sado pak këtë borxh jetik për tërë vendin.

Situata është mëse e qartë, dhe nëse kërkohet t’i jepet shpresë vendit, rruga është vetëm një: sinergji e të gjitha kampeve opozitare, qytetare për të shkuar në një përballje elektorale e vlerash e jo në emër të kryetarëve për një herë të vetme, por në emër të interesave të vendit dhe qytetarëve.

Politika duhet të ketë brenda saj moral, koherencë e dashuri për të ndryshuar kursin atëherë kur gjërat nuk shkojnë, e jo kafshime mes vetes, ku qartazi vihet re gjilpëra e peshores së ku konvergjojnë interesat personale, shumë larg misionit të të qenurit politikan.

Pra, nëse vazhdohet përsëri me retorikë sterile, bosh, mediokre duke mbjellë dasi që i shkon përshtat vetëm këtyre “pashallarëve” dhe ortakëve të ryshëm e të padukshëm, që po menaxhojnë të ardhurat tona, burimet tona, jetët tona, 2025-a do të vazhdojë me serialin që po përjetojmë tash e 12 vite në mënyrë të imponuar.

Dhe të nesërmen, na e kurseni atë diskun që e kemi dëgjuar shpesh këto kohët e fundit, që na vodhën e me krimin nuk bëhen zgjedhje, etj. etj. me radhë.

Nuk ka votë që vidhet e rrugaç që mund të tjerërsosh vullnetin e votës kur krijohet fryma për të ndryshuar, sado mekanizma të ketë në dorë pushteti, para korrupsioni e ortakërisë me grupe kriminale që janë realitet i ditur nga të gjithë tani, por ajo që i zhben të gjitha këto është kur njerëzit ndjekin, kur shohin se ke vullnet real, je i vërtetë, koherent dhe mbi të gjitha ke dashuri për vendin…

Ndodhemi 4 muaj para zgjedhjeve…

Latest articles

Related articles