Instituti gjerman për sëmundjet infektive “Robert Koch Institut” sheh shenja të fillimit të një vale gripi në Gjermani. Sipas raportit të fundit të RKI që nga fillimi i dhjetorit, numri i rasteve të infeksioneve është rritur ndjeshëm.
Edhe vitet e fundit janari ka qenë periudha në të cilën numri i infektimeve është rritur ndjeshëm. Thënë shumë thjesht për valë gripi flitet kur viruse gripale të tipit influenca A ose B gjenden në një nga analizat e çdo pesë pacientëve.
40 të vdekur nga infektimi me virusin e gripit
Sipas raportit të RKI-së është rritur gjithashtu edhe numri i shtrimeve në spital i personave me diagnozën grip. Në periudhën 2 deri më 30 dhjetor u shtruan në spital rreth 18 për qind e pacientëve të diagnostikuar me grip. Kurse nga data 30 dhjetor deri sot kjo shifër është rreth 27 për qind. Shifrat u referohen rasteve të raportuara në RKI. Javët e fundit është vënë re gjithashtu edhe një rritje e infektimeve me virusin sincicial respirator (RSV).
Po ashtu njoftohet edhe për persona që kanë vdekur për shkak të infeksionit me grip. Deri tani për sezonin dimëror 2024/25 në RKI janë raportuar 40 vdekje nga infeksioni me virusin e gripit. Sipas RKI-së, 80 përqind e të prekurve ishin 60 vjeç ose më të vjetër. Po ashtu në RKI janë raportuar edhe pesë vdekje për shkak të infeksioneve me RSV./ DW