Një grua 34-vjeçare arriti të shkojë në shtëpi vetëm disa orë pasi kreu një ndërhyrje të vështirë për heqjen e tumori në tru nga ekipi i mjekëve në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë.
Mjeku neurokirurg Artur Xhumari, njëkohësisht shef i Shërbimit të neurokirurgjisë tha për Report Tv se ndërhyrja mini-invazive përmes çarjes së vetullës mundëson që rikuperimi i rasteve me Meningiomë të rikuperohet shumë shpejt, ndryshe nga metoda klasike e ndërhyrjes në kokë.
“Ndërhyrja përmes vetullës rikuperohet shumë shpejt dhe le një shenjë të vogël. Në rastet e tumoreve malinje detyrohemi të çajmë pjesën e kokës, gjë që kërkon minimalisht 4 ditë shtrim në spital dhe është më e dhimbshme dhe ka më shumë efekte anësore”, tha Artur Xhumari, neurokirurg.
Meningiomat janë beninje thotë Xhumari, ndërsa për realizimin e kësaj ndërhyrjeje duhet të kihet parasysh edhe përmasa e tumorit.
“Meningiomat janë beninje dhe përhapen më së shumti të gratë. Nëse tumori do të ishte më pak se 3 cm atëherë do të ishte shumë e lehtë për ta hequr. por nëse do të ishte më i madh se kaq, do të ishte e pamundur përmes kësaj mënyre mini-invazive”, shtoi ai.
Ndërkohë sa i përket simptomave më të shpeshta që na paralajmëron për tumor në tru, mjeku shprehet se janë dhimbjet e kokës që zgjasin 1 deri në 4 ditë dhe që nuk janë dhimbje të zakonshme.
Tumori ndodhej ngjitur me nervat e nuhatjes e të shikimit, ndërsa sipas mjekut Xhumari, pacientja do të mund të jetojë sikur nuk ka bërë kurrë asnjë ndërhyrje.