E kemi parë shpesh në debate të forta politike me kundërshtarët, por edhe kritik brenda forcës politike ku ai vetë aderon. Shqiptarët dinë thuajse gjithçka për jetën politike të Erion Braçes, por shumë pak për jetën e tij personale.
Për të folur për këtë të fundit Braçe ishte i ftuar këtë të martë në studion e “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj në Vizion Plus.
I pyetur nëse është po kaq aktiv edhe në familje sa në politikë, Braçe tha se ka të njëjtin vullnet për të bërë gjëra.
Ai rrëfeu se i pëlqen të gatuajë dhe sa herë që ai është në kuzhinë i pëlqen të ftojë edhe miq për të konsumuar gatimet e tij.
Ndërsa zbuloi se prej disa vitesh nuk e konsumon mishin e kuq.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Jeni shumë aktiv në politikë, jeni kaq aktiv edhe në familje, ndihmoni ju në punët e shtëpisë?
Braçe: Natyrisht unë gatuaj, gatuaj për vete dhe të tjerët. Madje kam qef të ftoj dhe njerëz kur gatuaj.
Borakaj: Cili është specialiteti?
Braçe: Çdo gjë, me përjashtim të mishit, pasi unë për vete nuk e konsumoj mishin u bë kaq vite.
Borakaj: Jeni vegjetarian?
Braçe: Jo vegjetarian tamam, por i disiplinuar, mish të kuq nuk ha. Edhe bylmet përgjithësisht jo. Tani kjo mund të jetë reklamë e keqe për njerëzit që unë punoj, por kjo nuk do të thotë që të tjerët nuk duhet të konsumojnë. Unë nuk konsumoj për arsye shëndetësore. Po të jetë për qef kur më vjen një pulë përpara unë e ha. Kur ma sjellin aty përpara se duhet të hanë edhe të tjerët jo vetëm unë, e cimbis, marr.