Ne budallejt – nga Edison Ypi

spot_img
Advertisements

nga Edison Ypi

Ne budallejt e duam pushtetin që ta bëjmë sa më të mirë. Ju të squtët pushtetin nuk e doni për asgjë tjetër veçse ta vidhni.
Ne budallejt e besojmë qytetarinë, artin, kulturën, historinë, vlerat, transparencën, meritokracinë. Ju skilet besoni nepotizmin, klientelizmin, regjionalizmin, mercenarizmin, rrenën, sidomos hajdutllëkun.
Ne budallejt themi atë që mendojmë dhe e besojmë atë që ju të squtët thoni. Ju të shkathtit kurrë nuk thoni atë që mendoni dhe kurrë nuk e besoni atë që ne budallejt j’u themi.
Ne budallejt themi se Dielli lind nga Perëndimi. Ju iteligjentët ulurini se dielli lind nga Lindja.
Për ne budallejt ekonominë e mbajnë në këmbë biznesmenët. Ju pehlivanat thoni se këtë shërbim të vyer e bën populli, haxhiqamilët, proletarët. Thoni si të doni, veç mos u habisni kur kallaballëku të zbresi në shesh të rrafshojë gjithçka.
Ne budallejt e kemi të qartë se banakierët televizivë të së enjtes mbrëma, ata legenat që mbahen për të ndershëm por paguhen nga hajnat me pare të vjedhura, janë pararoja e dallavereve dhe hajdutllëkut. Ju kopilat këtë bëni sikur nuk e kuptoni. Sytë j’u dalçin. Juve dhe atyre.
Ne budallejt përdorim nja një mijë fjalë kur flasim dhe nja pesë mijë kur shkruajmë. Ju eruditët as flisni as shkruani, vetëm lehni. Derisa të mësoni ca fjalë ju kokpalarët llapaqenë, do vazhdojmë të dërdëllisim dhe shkarravisim ne budallejt e heshtur.
Ne budallejt që nuk kemi kushedi se çë dhe nuk fitojmë asgjë, e marrim faturën tatimore për çikërrimat që blejmë. Ju banditët e pangopur që keni gjithçka, faturë tatimore as merrni as e jepni edhe kur blini e shisni grataçiela.
Ne budallejt nuk vjedhim. Ju gjenialët vidhni. Po të vidhnim, të squt do ishim ne, budallej do ishit ju.
Ne budallejt lexojmë poezi. Madje ka ndër ne budallejtë ca idiota që poezitë i mësojnë përmendësh.
Poezitë më të bukura për ne budallejt janë ato që dridhin zemrën dhe zbutin shpirtin. Për ju gjenialët janë ato që tregojnë si piqen mëlçitë në prush dhe si bëhet pilafi me lëng mishi.
Ne trashanikët femrave u bëjmë komplimenta. Ju elegantët femrave u mbani leksione. Prandaj ne budallejve femrat na falin atë pyllin e fundbarkut, ndërsa juve j’u dhurojnë Noc Rrokun.
Ne budallejt nuk ikim nga Shqipëria. Ju fenomenalët ikni. Aman mos ikni. Po ikët ju të squtët, s’do merret vesh sa budallej jemi ne.
Ne budallejt e dimë që era, shiu, breshëri, toka, deti, malet, kodrat, lumenjtë, përrenjtë, janë të mendjendriturve. Por Bota është e budallejve.

spot_img

Latest articles

Related articles