Nga Sebastian Zonja
Fitorja e Donald Trampit në Amerikë dhe fitore të tjera të konservatorëve nëpër botë po tregojnë se ideja liberale ka shfaqur probleme të thella. Përballë “fundit të liberalizmit”, desha të sjellë idenë konservatore të politikanit të famshëm britanik Benjamin Disraeli. Ajo ka në thelb të saj solidaritetin. As Trampi, as ndonjë konservator tjetër në sferën politike, nuk e kam dëgjuar ta artikulojë. Shumica mbeten ende brenda utopive të tregut të lirë, njëjtë si utopitë komuniste të marksistëve.
Benjamin Disraeli ka qenë figurë e rëndësishme politike në Britaninë e periudhës viktoriane. Cilësohet arkitekti kryesor i konservatorizmit modern. Vizioni i tij bazohet tek ndjenjat e përbashkëta të komunitetit dhe solidariteti si shtyllë qendrore. Këtu ndahet me thikë nga tendencat individualiste që karakterizojnë mendimin politik liberal. Ideja e solidaritetit te Disraeli është e lidhur ngushtë me konceptin e tij të shoqërisë si organizëm kolektiv, ku mirëqenia e çdo individi është e lidhur ngushtë me mirëqenien e përgjithshme. Sot kjo ngjan komuniste. Pse arritëm në këtë pikë?
Disraeli besonte se një shoqëri me themele të forta ngrihet vetëm përmes identitetit dhe përgjegjësisë së përbashkët. Ndryshe nga fokusi liberal që vendos theksin mbi të drejtat dhe autonominë individuale, Disraeli argumenton për politika që synojnë promovimin e mirëqenies sociale dhe adresimin e pabarazive shoqërore.
Shteti, sipas Disraelit, është, së pari, fuqi morale, me detyrimin për të mbrojtur ata që janë të pafuqishëm dhe për të siguruar që asnjë grup të mos mbetet pas. Filozofia e tij thekson rëndësinë e traditës dhe trashëgimisë historike të shoqërisë.
(Ka një ndarje të thellë mes traditës dhe trashëgimisë. Tradita është përsëritja e vetes pa risi. Trashëgimia është përsosje e traditës.)
Ndërsa kritika e Karl Marksit për kushtet e punës në Britaninë e shekullit të XIX ishte reale dhe tregonte se sa keq ishte gjendja, Disraeli, duke e ditur sa të drejtë kishte Marksi, themelon një koncept interesant – “Një Komb” – sipas këtij koncepti është e nevojshme që klasat e ndryshme sociale të bashkohen nën një identitet kombëtar të përbashkët dhe të ndërtohen politika që ulin sa më shumë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve, duke theksuar se padrejtësitë sociale minojnë ndjeshëm strukturën e shoqërisë.
Ky vizion i Disraelit është në kontrast të ndjeshëm me liberalizmin modern që promovon fokus të tepruar tek individualizmi.
Për ta parë nga afër se çfarë është kjo ideja liberale moderne që eksportojnë amerikanët dhe pse është njëjtë si komunizmi që ne kaluam, po marrim në shqyrtim një kritizer të rëndësishëm të kësaj ideologjie, filozofin politik britanik Xhon Grei.
Grei argumenton se liberalizmi bashkëkohor, me theksin e tij te liria individuale dhe me orientim të madh drejt konceptit të tregut, jo qytetarit, çon në fragmentime shoqërore. Sipas tij, ky model që sjell liberalizmi, neglizhon nevojën themelore njerëzore për komunitet dhe vlera të përbashkëta, duke rezultuar në “skizofreni” shoqërore. Ndërsa liberalizmi përforcon të drejtat individuale, shpesh minon lidhjet shoqërore që janë të nevojshme për një shoqëri të stabilizuar dhe funksionale. Në thelb të liberalizmit qëndron nocioni i progresit. Ndjekja e pandërprerë dhe e ethshme e progresit dhe autonomisë individuale ka tendencën të shkëpusë lidhjet shoqërore, duke izoluar njerëzit. “Dikur kishte njerzillëk”, dëgjon herë pas here. Me futjen e konceptit të tregut të lirë si absolut, njëjtë si absoluti i mungesës së tij, nuk ndryshuam asgjë përveç shenjuesve bosh. Korniza e liberalizmit modern dështon të ngërthejë kompleksitetin e marrëdhënieve njerëzore dhe nevojën për lidhjet shoqërore. Theksimi i individualizmit sjell një mjedis ku njerëzit largohën gjithnjë e më shumë nga njëri tjetri.
E sollëm më sipër Disraelin për të treguar se e kundërta e izolimit është solidariteti. Por në treg nuk mund të ketë solidaritet, sepse ka konkurencë. Dhe modeli amerikan s’e pranon solidaritetin. Ne e kemi si trashëgimi prej islamit dhe krishtërimit solidaritetin, por nuk e themi dot për arsye se na merr inat Evropa.
Për ta përfunduar, koncepti i solidaritetit te Benjamin Disraeli shërben si kundërnarrativë e rëndësishëm për individualizmin që ndodhet në qendër të mendimit liberal modern. Duke risjellë këtë kocept, shoqëria ndërton përfytyrime të reja drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të barabartë. Sot kemi nevojë të madhe për të nxitur ndjenja të thella komunitare dhe kombëtare, në një epokë ku dominon individualizmi, sepse përgjegjësia shoqërore është gurthemeli i çdo qeverisjeje.



