nga Sebastian Zonja
Që nga Amerika vijnë në Evropë, e sot edhe në Shqipëri, akuzuat se oligarkia ekonomike drejton vendin. Për sa kohë që interesat e biznesit janë globale dhe industria ushtarake ka fuqi ta fusë vendin në luftë, aty qëndron fuqia politike, thotë e majta amerikane. Debati ka filluar që pas Luftës së Dytë Botërore kur bashkë me luftën, Amerika kaloi edhe krizën ekonomike dhe industria ushtarake u fuqizua shumë. Debati kulmoi me luftën në Vietnam.
Për herë të parë këtë terminologji politike që qeverisemi nga një elitë e vogël ekonomike e solli filozofi helen Aristoteli dhe e emërtoi oligarki. Sot ne quajmë oligarki Rusinë, ndërkohë pyetja ngrihet nëse atje e ka pushtetin Vladimir Putini apo biznesmenët e fuqishëm?
Edhe në Shqipëri, një pjesë argumenton se oligarkët nuk janë nën kontrollin e Edi Ramës, por në marrëdhënie me të. Pak nga pak, ndërsa ata fillojnë të bëjnë ligjet për vete dhe caktojnë deputetë dhe ministra, zbehet roli i qeverisë dhe kontrollojnë të dyja, edhe jetën ekonomike, edhe atë politike.
Pjesa tjetër argumenton se qrveria ka çdo gjë në dorë, dhe me një firmë i shuan nga tregu. Mjaftojnë dy tatimorë të shkojnë te kompania, një bllokim në doganë dhe merr fund për 6 muaj.
Duhet theksuar se ata që ne i cilësojmë oligarkë nuk janë prodhues. Ata tregtojnë të mira materiale, njëjtë si oligarkët rusë që s’ prodhojnë por shesin naftën dhe gazin rus që është pasuri natyrore.
Po në Shqipëri a i ka Edi Rama në dorë apo, nëse u prishen interesat, ikin nga Edi dhe mbështesin Berishën?
Do marrim në shqyrtim filozofinë politike të Aristotelit dhe çfarë shkruan për oligarkinë si edhe botime studimore për regjimin putinist. Ky krahasimi mes filozofisë politike të Aristotelit dhe sistemit qeverisës të Rusisë nën Vladimir Putinin ofron qasje mbi ngjashmëritë dhe ndryshimet mes oligarkisë klasike aristoteliane dhe sistemeve moderne të pushtetit.
Në veprën e tij “Politika”, Aristoteli e përshkruan oligarkinë si një ndër regjimet e korruptuara, ku pushteti përqendrohet në duart e pakicës që qeveris, kryesisht për përfitimet e veta. Ndërkohë, literatura moderne e përshkruan Rusinë e Putinit si sistem neo-oligarkik, ku një elitë e vogël ka ndikim të jashtëzakonshëm politik dhe ekonomik.
Sistemi Oligarkik i Aristotelit
Aristoteli klasifikon tre forma të mira qeverisjeje —monarki, aristokraci dhe politei— dhe çdonjëra ka formën e saj të rrënuar dhe korruptuar: tirania, oligarkia dhe demokracia (të cilën, ndonjëherë, e barazon me sundimin e turmës).
Oligarkia, sipas Aristotelit, karakterizohet nga sundimi i një pakice të pasurish që kanë qëllim kryesor interesat e tyre mbi të mirën e përgjithshme.
Tiparet kryesore të oligarkisë së Aristotelit janë:
- Pushteti i bazuar mbi pasurinë: Autoriteti politik në oligarki përqendrohet te ata që zotërojnë burimet ekonomike, shpesh në dëm të pjesëmarrjes më të gjerë qytetare.
- Praktikat përjashtuese: Oligarkitë përjashtojnë shumicën—zakonisht të varfrit—nga qeverisja, duke çuar në pabarazi dhe pakënaqësi.
- Paqëndrueshmëria: Aristoteli argumenton se oligarkitë nuk sigurojnë qëndrueshëri afatgjatë, pasi grindjet e brendshme mes elitave politiko-ekonomike dhe pakënaqësia e masave të përjashtuara nga kapitali mund të destabilizojnë regjimin.
- Erozioni i drejtësisë: Nëpër sistemet oligarkike ligjet shpesh hartohen për t’i shërbyer interesave të elitës sunduese, duke minuar drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Mjafton të shohim se si hartohen disa kontrata koncesionare dhe e kuptojmë.
Sipas Aristotelit, pabarazitë e thella që krijohen në pasuri dhe pushtet krijojnë tensione, duke çuar në revolta dhe kalimin drejt formave të tjera qeverisjeje. Për Aristotelin, shteti ideal balancon elementet e oligarkisë dhe demokracisë për të arritur stabilitetin dhe drejtësinë.
Rusia e Putinit: Sistem neo-oligarkik
Nën udhëheqjen e Vladimir Putinit, Rusia karakterizohet shtet gjysmë-oligarkik, megjithëse ka dallime të mëdha nga modeli klasik i Aristotelit. Ardhja e Putinit në pushtet në vitin 1999 shënoi kalimin nga periudha kaotike, e dominuar nga oligarkët e viteve 1990, drejt një sistemi të centralizuar, ku kontrolli ekonomik dhe politik është përqendruar në duart e një grupi të përzgjedhur dhe besnik ndaj Kremlinit.
Tiparet e sistemit putinist
- Përqendrimi i pushtetit në duart e një elite:
Oligarkët rusë të viteve ’90 ishin relativisht të pavarur, Putini ndërkaq konsolidoi pushtetin duke i nënshtruar ndaj shtetit rus. Një elitë e re—e përbërë nga ish-zyrtarë të inteligjencës (siloviki), burokratë dhe liderë biznesi besnikë të liderit—mori formë, duke krijuar oligarkinë moderne të lidhur drejtpërdrejt me presidentin. - Kapitalizmi shtetëror dhe kontrolli i burimeve:
Shtylla kryesore e sistemit putinist është kontrolli shtetëror i industrive kryesore, veçanërisht energjetikës dhe burimeve natyrore. Korporatat e lidhura me shtetin dhe oligarkët pranë Putinit dominojnë sektorë si nafta dhe gazi, duke siguruar që kapitali të kanalizohet drejt elitës politiko-ekonomike, ndërsa ruhet kontrolli shtetëror. - Gërryerja e institucioneve demokratike:
Ashtu si oligarkia aristoteliane, Rusia bashkëkohore dëshmon degradimin e proceseve demokratike. Zgjedhjet manipulohen, figurat e opozitës shtypen ose vriten, media kufizohet, dhe pjesëmarrja në politikë thuajse pamundësohet. - Manipulimi i ligjeve dhe korrupsioni:
Sistemi rus kritikohet për zbatimin selektiv të drejtësisë. Ligjet përdoren si mjete për të ndëshkuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur elitën sunduese, duke reflektuar kritikat e Aristotelit ndaj oligarkive që “shtrembërojnë” drejtësinë për përfitime personale. - Stabiliteti përmes autoritarizmit:
Ndërsa Aristoteli i shihte oligarkitë të paqëndrueshme, regjimi i Putinit ka ruajtur stabilitet relativ përmes një përzierjeje të kontrollit autoritar, propagandës dhe një lloj kontrate sociale që ofron stabilitet ekonomik në këmbim të nënshtrimit politik. Megjithatë, nga ato pak gazetarë rusë që shkruajnë, vëmë re se pakënaqësia publike dhe sfidat ekonomike vijojnë të jenë të dukshme.
Nëse do bëjmë një analizë krahasuese, vëmë re se përqendrimi i pasurisë dhe pushtetit, si në oligarkinë e Aristotelit ashtu edhe në Rusinë e Putinit, pasuria dhe pushteti politik janë përqendruar në duart e një elitë e vogël. Pjesa më e madhe e popullsisë ka pak ose aspak ndikim politik.
Korniza ligjore shërben për elitën sunduese që të përndjekë kundërshtarët politikë dhe ligji përdoret si mjet dominimi.
Pavarësisht përpjekjeve të Putinit për të projektuar stabilitet, pabarazia dhe pakënaqësia midis grupeve të margjinalizuara në Rusi përkojnë me paralajmërimin e Aristotelit se oligarkitë janë të prirura për trazira dhe rënie. Federata ruse ka mbi 21 entitete brenda dhe rusët etnikë, nga viti në vit, janë në rënie dhe më të varfër.
Sa i përket dallimit mes asaj që shkruan Aristoteli dhe realitetit politik oligarkik, te koncepti aristotelian mungon figura e fortë qendrore sepse sundon një klikë. Ndërkohë, Rusia e Putinit ka pushtet të përqëndruar rreth presidentit, duke kombinuar elemente të oligarkisë me autokracinë.
Po ashtu, analiza e Aristotelit nuk trajton gjerësisht rolin e ideologjisë, ndërsa studiuesit vënë re se regjimi i Putinit përdor nacionalizmin, revizionimin e historisë dhe kontrollin e mediave për të ruajtur legjitimitetin dhe shtypur kundërshtarët.
Sa i përket ekonomisë, Rusia e Putinit është e integruar në tregjet globale dhe kjo e bën shumë komplekse situatën. Mbi këtë premisë, Ndryshe nga qytet-shtetet e periudhës së Aristotelit, Rusia moderne vepron brenda një sistemi të ndërlidhur dhe ndërvarur ndërkombëtar. Regjimi oligarkik i Putinit zgjeron ndikimin nëpër botë përmes diplomacisë energjetike, operacioneve kibernetike dhe ndërhyrjeve politike duke korruptuar dhe blerë liderë dhe politikanë nëpër botë.
Sot, modeli rus i përzierjes së oligarkisë, autokracisë dhe shtetit modern përfaqëson një evolucion të veçantë të sistemeve politike. Ky sistem është hibrdid mes atij demokratik euroatlantik dhe atij kinez që ka tiparet e veta të veçanta.
Po ne ku jemi sipas kësaj panorame?