Në një rrëfim për revistën “Liberale”, Spiropali rrëfen nga një kënd tjetër i karrierës së saj të pathënat dhe të thënat e një rrugëtimi jo të shkurtër që nis, pas përfundimit të studimeve në Kanada dhe Amerikë, për t’u rikthyer në atdhe.
Në media është aluduar ndonjëherë edhe në lidhje me origjinën tuaj hebreje. A mund të na tregoni si qëndron e vërteta?
Ashtu i është dukur një gazetari fantazioz nisur nga pamja e jashtme dhe gërmime të brendshme në rrjetet e mia sociale dhe daljet publike. Unë s’kam arsye ta pranoj as ta mohoj, aq më pak të komentoj gazetarin që “zbuloi” origjinën time hebreje, i cili, meqë ra fjalë, nuk jeton më (K. Myftaraj). Kam lindur e jam rritur në Tiranë. Prindërit e mi po ashtu. Origjinën e kam prej andej ku Labëria prek Bregun.