Në një njoftim zyrtar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural informon qytetarët se në datën 25 Dhjetor 2024, nga veterineri zyrtar i shërbimit për Njësinë Administrative Shëngjin, është konstatuar se në fshatin Ishull – Lezhë tek fermeri Vitor Zef Jushi me kod ferme AL091919860492, me 71 krerë derra ka patur ngordhje në 8 krerë.
Në datën 26 Dhjetor 2024 Shërbimi Veterinar i Sektorit të Lezhës ka shkuar në fermë dhe ka konstatuar ngordhjen edhe të 7 krerëve të tjerë. Menjëherë është kryer groposoja e kafshëve të ngordhura, disinfektimi i mjedisit, si dhe janë marrë kampione zyrtare (karkasë dhe organe), të cilat u dërguan në ISUV me fletë shoqërimi për dyshim të sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave, sipas protokollit të përcaktuar.
Kampionet e dërguara nga kadavra të derrave të butë dhe të kryqëzuar, prej Shërbimit Veterinar Rajonal të Qarkut Lezhë, në Laboratorin e Referencës – Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në datën 26.12.2024, kanë rezultuar pozitive me testin konfirmator RT – PCR, për praninë e sëmundjes së Murtajës Afrikane të Derrave.
Ferma e cila është vënë menjëherë në mbikqyrje veterinare ka qënë në zonën e survejancës 10 km me vatrën në malin e Rrencit. Është kontrolluar 3-herë gjatë periudhës se karantinës në datat 27.11.2024 dhe në datat 02.12.2024 dhe 09.12.2024, nga ku është konstatuar gjendje e mirë shëndetësore e kafshëve në fermë