Betonizohet Butrinti/ Rama dyfishon “pikën e vockël” të Kumbaros, shton me 18 mijë metër katrorë ndërtim resortin e Alb Star

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka vendosur me një të rënë të lapsit thuajse të dyfishojë sipërfaqen ndërtimore të kompleksit Manastiri Resort, që po ndërtohet në parkun e Butrintit.

Në lejen e ndryshuar, sipërfaqja e ndërtimit të këtij resorti rritet në 45.3 mijë metër katror ndërtim, nga 27.3 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi që ishte në lejen origjinale. Vendimi që rrit me gati dy herë betonin dhe sipërfaqen ndërtimore të resortit është marrë në korrik të këtij viti.Sipas hartës së konsultuar nga Kapitali, KKTU ka vendosur të shtojë sipërfaqen e ndërtimit si mbi tokë ashtu dhe atë nën tokë. Sipërfaqja ndërtimore mbi tokë është shtuar me më shumë se 10 mijë metër katrorë, ndërsa pjesa e mbetur e shtesës vjen nga shtimi i sipërfaqeve nën tokë.

Rritja me gati dy herë e sipërfaqes së ndërtimit, rrit betonin që derdhet në parkun më të rëndësishëm të Shqipërisë. Koefiçenti i shfrytëzimit të truallit për ndërtim në këtë resort është rritur nga 20 për qind në 32 për qind, ndërsa intensiteti i ndërtimit nga 0.4 në 0.6.

Manastiri Resort

Manastiri Resort është një projekt kontrovers që ndërtohet nga kompania Alb Star e Idajet Ismailajt. Për t’i hapur rrugë ndërtimit të këtij resorti, qeveria zvogëloi sipërfaqen e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit me 800 hektarë, përmes një vendimi okult.

Sipërfaqja e hequr prej 800 hektarësh, në një pjesë të së cilës është ngritur “Manastiri Resort” ishte përfshirë në zonën e Parkut të Butrintit prej vitit 2005 dhe gëzonte statusin e mbrojtur në kategorinë “B”, ku nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Projekti “Manastiri Resort”, fitoi statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021 me një vendim të Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

Çështja u shndërrua në një skandal të madh duke shkaktuar debate në Parlament. E vënë përpara akuzave të opozitës për korrupsion dhe shkatërrim të parkut kombëtar, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti një “pikëz të vogël” atë pjesë që do të shkëputej nga Parku i Butrintit, për t’u kthyer në resort privat nëpërmjet një “investimi strategjik”.

Tashmë, Plazhi i Manastirit, pra ajo “pika e voçkël” është shndërruar në një masiv vilash prej betoni, të cilat kanë bllokuar tërësisht aksesin e pushuesve në një prej gjireve më të bukura të Rivierës Shqiptare.

Latest articles

Related articles