Kryetari i Bashkisë së kryeqytetit serb, Aleksandër Shapiç, njoftoi se nga 1 janari 2025 transporti publik në Beograd do të jetë falas, njoftoi televizivi kombëtar serb RTS. Shapiç vuri në dukje se me masën e re sociale, kryeqyteti serb do të bëhet i vetmi qytet në Evropë që ka transport publik falas për 2 milionë veta. Ai shtoi se ka qytete më të vogla me transport falas, por jo aq të mëdha sa Beogradi. Kryebashkiaku gjithashtu vuri në dukje se në tri vitet e ardhshme, flota e automjeteve të transportit publik në qytet do të rinovohet plotësisht. “Deri në fund të vitit 2025 nuk do të ketë automjete më të vjetra se dy vjet, përveç atyre që i kemi blerë në vitin 2022”, theksoi Shapiç, gjë që, tha ai, deri më tani nuk është bërë në asnjë qytet të Evropës.