Zhdukja e vazhdueshme e kohëve të foljeve (e shkuara e thjeshtë, e pakryera, trajtat e përbëra të së ardhmes, paskajorja etj.) dhe e mënyrave (nënrenditëse, kushtore, urdhërore etj.) krijon të menduarit në të tashmen, të kufizuar në një çast, të paaftë për t’u projektuar në kohë.
Përgjithësimi i informalitetit, zhdukja e shkronjave të mëdha dhe shenjave të pikësimit janë të gjitha goditje fatale ndaj finesës së shprehjes.
Heqja e fjalës “mademoiselle” (zonjushë) nuk do të thotë vetëm heqje dorë nga estetika e një fjale, por edhe nxitja e idesë se mes një vajze të re dhe një gruaje nuk ka asnjë dallim.
Më pak fjalë dhe më pak folje të zgjedhuara, do të thotë të kemi më pak aftësi për të shprehur ndjesi dhe më pak mundësi për të zhvilluar një mendim.
Studimet kanë treguar se njëfarë dhune në sferën publike dhe private vjen drejtpërdrejt nga pamundësia për të shprehur emocionet me fjalë.
Pa fjalë për të ndërtuar arsyetimin, “të menduarit kompleks”, aq i dashur për Edgar Morin-in pengohet, bëhet i pamundur.
Sa më e varfër të jetë gjuha, aq më pak mendim ekziston.
Historia është e pasur me shembuj dhe ka shumë shkrime që nga George Orwell në romanin “1984” deri te Ray Bradbury në “Fahrenheit 451”, të cilët kanë rrëfyer sesi diktaturat e të gjitha bindjeve, e pengonin mendimin duke pakësuar dhe shtrembëruar numrin dhe kuptimin e fjalëve.
Nuk ka të menduar kritik, pa shtjellim të mendimit. Dhe nuk ka mendim pa fjalë.
Si të ndërtohet të menduarit hipotetik-deduktiv, pa zotëruar kushtoren? Si ta parashikojmë të ardhmen pa zgjedhimin në të ardhshmen? Si mund të kuptojmë një përkohshmëri, një varg elementesh në kohë, qoftë në të shkuarën, qoftë në të ardhshmen, si dhe kohëzgjatjen e tyre relative, pa një gjuhë që bën dallimin midis asaj që mund të kishte qenë, çfarë ka qenë, çfarë ishte, çfarë mund të ishte, dhe çfarë do të jetë pasi të ketë ndodhur ajo që mund të ndodhë? Nëse sot do të dëgjohej një thirrje tubuese, do të ishte kjo që do t’u drejtohej prindërve dhe mësuesve: bëjini fëmijët tuaj, nxënësit, studentët tuaj të flasin, të lexojnë dhe të shkruajnë.
Mësoni dhe praktikoni gjuhën në format e saj më të ndryshme, edhe nëse duket e ndërlikuar, veçanërisht nëse është e ndërlikuar. Sepse në këtë përpjekje qëndron liria. Ata që vazhdimisht shpjegojnë se është e nevojshme të thjeshtohet drejtshkrimi, të pastrohet gjuha nga “defektet” e saj, të shfuqizohen gjinitë, kohët, nuancat, gjithçka që krijon kompleksitet, janë varrmihësit e mendjes njerëzore. Nuk ka liri pa kërkesa. Nuk ka bukuri pa mendimin mbi bukurinë.”
Christophe Clavé.
“Les Voies de la Stratégie” (Shtigjet e strategjisë)
Nga muri i Agron Tufa