Nga Prof. Taulanda Jupi
In memoriam për artistin dhe mikun Bekim Lumi organizuam në Universitetin e Arteve në bashkëpunimin me Zj. Donika Gërvalla Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, z. Skënder Durmishi Zv.Rektor i UART Prof.Arjan Paço dhe Dekan i FAS Prof. Miltjadh Kutali dhe Z.Afrim Demiri e familjes së dashur të Bekim Lumit, mbrëmjen dedikuar artit, krijimtarisë dhe jetës së tij.

Bekimi ishte më shumë se një regjisor, dramaturg, poet dhe eseist. Ai ishte një urë mes dy brigjeve të një shpirti të përbashkët, që jetoi dhe punoi mes shpresës dhe sfidave të kohës. Teatri për të nuk ishte thjesht një skenë, por një mundësi për të reflektuar, për të sfiduar dhe për të ndryshuar botën.
Si një bir i Kosovës Bekimi solli në Shqipëri fuqinë e artit që reflektonte mbi plagët e historisë, ndjeshmërinë ndaj së tashmes dhe vizionin për të ardhmen. Në teatrin e tij, gjithmonë ndjehej një thirrje për bashkim, për të kuptuar njëri-tjetrin dhe për të ndarë dhimbjet dhe gëzimet që na bashkojnë si popull.
Për Bekimin, arti nuk kishte kufij. Përmes mendimt, punës dhe artit të tij ai e theu çdo pengesë, duke ndërtuar ura që vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot – ura që na kujtojnë se kultura dhe arti janë forca më e madhe për të na mbajtur bashkë, janë thelbi i një kombi.
Bekim Lumi ishte një artist shumëdimensional që mishëroi në çdo frymëmarrje, mendim dhe veprim përkushtimin e pakushtëzuar ndaj idealeve të tij. Ai nuk ishte thjesht një artist që krijonte vepra; ai ishte një njeri i cili e jetonte artin si një mision, një mënyrë për të zbuluar e ndriçuar të vërtetat e fshehura, për të reflektuar thellë dhe për të sfiduar kufijtë shoqërorë.
Bekimi ishte një artist me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj kohës dhe realitetit që po jetonim. Ai ndjente dhimbjen dhe sfidat e Kosovës dhe këtë ndjeshmëri e kthente në art të pastër, të guximshëm dhe transformues. Ai nuk bënte kompromise me artin apo me idealet e tij, një cilësi që e bënte të admirueshëm dhe të pakrahasueshëm duke lënë pas testamentin e një njeriu që e jetoi artin si mision dhe që e përqafoi atë si formën më të lartë të ekzistencës.
Photo credits 📸 Alvin Çuço 📍UART




