Nga Prof. Taulanda Jupi
Përkujtimi i ngjarjeve të rëndësishme është më shumë se një akt simbolik – është vlerësim për trashëgiminë tonë historike, reflektim ndaj të shkuarës dhe përgjegjësi ndaj të ardhmes.
Me ftesë të Lartësisë së Tij, Princ Leka II, pata kënaqësinë të marr pjesë në ceremoninë për të nderuar 100-vjetorin e një prej ngjarjeve të rëndësishme në historinë tonë kombëtare – Triumfit të Legalitetit, organizuar nga Partia Lëvizja Legalitetit në bashkëpunim me Oborrin Mbretëror.
Kjo ngjarje shënon një shekull nga zhvillimet shoqërore e politike dhe aktet e rëndësishme gjatë vitit 1924 -1925, ngjarje të cilat kujtohen si rikthimi i rendit kushtetues, gur themeli për shtetbërjen shqiptare. Ndërtimi dhe funksionimi i institucioneve legjitime, të bazuara në interesin publik dhe në respektimin e vullnetit të qytetarëve, janë thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të një shoqërie demokratike.
Një demokraci e vërtetë, një shtet i së drejtës nuk është thjesht aspiratë, por një detyrim ndaj të sotmes dhe të ardhmes.
Në këtë përvjetor të rëndësishëm gjatë takimit me Princ Leka II dhe Kryetarin e Partisë së Legalitetit Z.Shpëtim Axhami ndamë të njëjtat mendime mbi sfidat dhe nevojën e një angazhimi të përbashkët për një Shqipëri europiane, të drejtë dhe demokratike, si një përgjegjësi e detyrim që duhet përmbushur në shërbim të interesit kombëtar.
Rruga e Shqipërisë drejt përparimit mbetet Integrimi Europian, rrugë e cila kërkon një përkushtim të përbashkët për ndërtimin e një demokracie funksionale. Kjo fillon me zgjedhje të lira e të ndershme dhe me ndërtimin e institucioneve që burojnë nga vota e lirë e vullneti i pacënuar i popullit.