*Kristaq Xharo
Siguria ndërkombëtare nuk ka qenë ndonjëherë më e tronditur se në këtë periudhë. Këtë e pohojnë politikanë dhe ushtarakë më të lartë dhe e pranojnë në të gjitha anët. Shtetet si asnjëherë tjetër po reflektojnë duke rritur kapacitetet e tyre të luftës. Ndërsa në Luftën e Ftohtë gara ishte midis dy superfuqive: SHBA dhe Bashkimi Sovjetin, tashmë të gjithë janë në garë nën moton e janë Bremer ‘secili shtet për vete’. Edhe vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë filluar të rilexojnë Traktatin e famshëm të Uashingtonit mbi të cilën ngrihet dhe qëndron organizata. Të mbyllur të artikulli ‘5’ i mbrojtjes kolektive po ndërgjegjësohen për artikullin ‘3’ i cili kërkon në radhë të parë kapacitete kombëtare. Artikulli ‘5’ i aleancës ku NATO po shihej si ‘kalorësi’ i fuqisë së luftës dhe paqes po balancohet me artikullin ‘3’ ku kapacitetet kombëtare janë bazike për mbrojtjen individuale dhe kolektive.
Edhe rajoni ynë, si gjithmonë mjaft delikat po reflekton ndaj situatës së sigurisë. Vendet e rajonit janë futur në garën e ethshme të armatimit ku dilema e sigurisë po thellohet dhe disbalanca e fuqisë po rritet dita ditës. Gara përfshin edhe rajonin tonë, ku shtetet ballkanike po rrisin kapacitetet e luftës në forca dhe në armatim. Industritë e tyre të luftës janë futur në cikle të plota. Shqipëria dhe Kosova po gjenden në këtë periudhë në nivelet e tyre minimale. Shqipëria pasi fitoi suksesshëm në gati 20 vitet e mëparshme ‘garën e çarmatimit’ që çoi në ‘zero’ çdo kapacitet luftimi, përfshirë edhe atë industri modeste ushtarake, tashmë ka nevojë për të kërkuar edhe elementët bazë të luftës: armatim, municion dhe mbështetje logjistike. Tashmë të dy shtetet duket se po zgjohen nga sindromi i paqes së përjetshme ‘kantiane’ dhe po ndërmarrin iniciativa për të rritur kapacitetet më së pari duke filluar nga industria ushtarake. Lajme optimiste si nga Tirana edhe Prishtina.
Veç e veç secilit shtet (Shqipëri Kosovë) do ti duhet dekada për të arritur aty ku janë fqinjët. Duke harmonizuar vizionin e strategjitë rruga do të jetë më e shkurtër dhe më efektive. Në këtë rast koncepti i ‘Smart Defense’ ose ‘Mbrojtjes inteligjente’ ofron qasjen që mund të shërbejë si një themel për kapacitete balancuese të fuqisë në këtë rajon të trazuar. Ndoshta ka ardhur koha të supozohet në një ‘variant B’ ku një ditë NATO, më i fortë apo i rënduar, edhe nga ardhja e Trump, nuk do të jetë përherë prezent, si deri tani, as në Kosovë e ndoshta edhe rajon. Hapësira që do të krijohej duhet të na gjejë të aftë për të përballuar sfidat më të mundshme. Edhe në këtë rast ‘smart defense’ vjen si një opsion midis dilemës së sigurisë dhe balancës së fuqisë. Përpara se të shohim mundësinë e realizmit le tu qasemi disa pyetjeve.
Çfarë është në thelb ‘Smart Defense’? – është një koncept që promovon bashkëpunimin strategjik, ndarjen e burimeve dhe shmangien e duplifikimeve për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë. Ai synon të krijojë kapacitete të qëndrueshme dhe efektive përmes një qasjeje kolektive, duke maksimizuar ndikimin e burimeve të kufizuara. Në rastin e Shqipërisë dhe Kosovës, ky koncept mund të ndihmojë në ndërtimin e një vizioni të përbashkët dhe të qëndrueshme, që jo vetëm forcon sigurinë kombëtare, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.
A është ‘smart defence’ një koncept modern ? – ‘Smart Defense’ u prezantua për herë të parë nga NATO në vitin 2012, gjatë Samitit të Çikagos. Ai u krijua si një përgjigje ndaj sfidave të reja të sigurisë, si sulmet kibernetike, terrorizmi dhe luftërat hibride, si dhe reflektim ndaj kufizimeve të buxheteve për mbrojtjen në vendet anëtare (NATO, 2012). Në kuadër të tij, NATO ka nxitur projekte që mbështeten në ndarjen e burimeve dhe në zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta. Pra është tërësisht një koncept bashkëkohor.
A ka shembuj të ‘smart defence’ pas lancimit të konceptit? Shembujt janë të shumtë dhe të dukshëm. Një prej tyre është Sistemi raketore (BMD), i cili përfshin kontributin e angazhimin e gjithsecilit për infrastrukturën dhe teknologjinë për të krijuar një rrjet mbrojtjeje të integruar. Në mënyrë të ngjashme, programi AËACS ofron mbikëqyrje ajrore dhe koordinim për operacione të përbashkëta, duke demonstruar se si vendet mund të ndajnë kapacitete të përbashkëta për përfitime kolektive (NATO, 2012). Jo vetëm në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian, iniciativa ‘Pooling and Sharing’ ka lehtësuar bashkëpunimin në projekte që nga prodhimi i municioneve precize të artilerisë deri në ndërtimin e fregatave shumë funksionalë FREMM, (European Defence Agency, 2020).
Lista vazhdon… projekti Eurofighter Typhoon, i realizuar nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Spanja dhe Italia, është një model i ‘smart dence’ . Po ashtu, programi i C-17, si avion transporti tregon se bashkërendimi i burimeve strategjike mund të rrisë kapacitetet e mbrojtjes për vendet, të cilat veças nuk mund ta arrijnë atë. Tashmë koncepti i ‘ smart defence’ i ka kapërcyer idenë e bashkëpunimit vetëm brenda vendeve të aleancës. Turqia ka projekte me mjaft vende edhe jashtë aleancës të cilat ndihmojnë në përballimin e kërcënimeve rajonale, duke treguar edhe njëherë se modelet e ‘Smart Defense’ janë të zbatueshme edhe jashtë strukturave tradicionale.
A është i realizueshëm një koncept i tillë midis Shqipërisë dhe Kosovës? – Sigurisht ekzistojnë sfida që lidhen me pozicionin aktual të Kosovës ku mosnjohja e plotë nga disa vende anëtare të NATO-s dhe BE-së duket, por nuk e kufizojnë përfshirjen e saj në nisma të tilla. ‘Defender -23’ ishte një model i tillë megjithëse lidershipi politik për objektiva të afërta jo strategjike e rrezikoi atë. Në vazhdim, buxhetet e kufizuara të Shqipërisë dhe Kosovës për mbrojtjen, mund të pengojnë zbatimin e projekteve të mëdha teknologjike, por jo ato për të cilat dy shtetet kanë nevoja emergjente. Sigurisht tensionet në rajon ku marrëdhëniet e ndërlikuara me Serbinë dhe ndikimi i aktorëve të tjerë ndërkombëtarë, si Rusia, përherë do të krijojnë një mjedis sfidues për bashkëpunim. Dhe kjo si një paradoks, ku ndërkohë vetë sjellja e Serbisë angazhohet në një ‘smart defence’ me shtete jo miqësore në rajon.
Siç ekzistojnë sfida edhe më të shumta janë mundësitë. Dhe këtu padyshim është konsultimi dhe koordinimi me vendet aleate strategjike, në radhë të parë SHBA-ja që mund të nxisin iniciativa të tilla. Ndoshta lajmi për ngritjen e një fabrike armatimi në Kosovë ishte një lajm optimist në këtë angazhim. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të vegjël dhe sigurisht e kanë të vështirë projektet e mëdha ndaj mund të fokusohen në projekte specifike. Por, do të ishte jo praktike dhe efektive që veç e veç të dy shtetet shqiptare të angazhohen në projekte të njëjta në fushën e mbrojtjes veçanërisht industrisë ushtarake apo armatimit të lehtë. Dhe më pas të konkurrojnë njëri tjetrin, kur kujtojmë se shtetet e tjera të rajonit jo vetëm që plotësojnë nevojat e kombëtare, por prej kohësh kanë dalë përtej tregut rajonal.
Dhe së fundi si mund të realizohet një koncept i tillë? – Padyshim me harmonizimin e strategjive shtetërore për të shkuar drejt strategjisë kombëtare. Shqipëria dhe Kosova kanë të gjitha mundësitë pa kompleksuar veten e ‘pa trembur’ fqinjët, të krijojnë një vizion të përbashkët për sigurinë, duke përfshirë objektiva të qarta dhe të zbatueshme. Më pas, fokusimi, por jo kufizimi, në projekte të përbashkëta ku projekte të vogla dhe të menaxhueshme, si zhvillimi i municionit, armëve të lehta, projekte për mbështetje logjistike apo edhe dronëve për mbikëqyrje kufitare deri në qendra të përbashkëta për mbrojtje kibernetike, mund të shërbejnë si bazament për ‘Smart Defense’. Nga mënyra se si ‘luajmë’ në të dy vendet mund të fitohet edhe mbështetja e NATO-s dhe BE për të thithur fonde dhe ekspertizë teknike për të përshpejtuar procesin e bashkëpunimit.
Ndërkohë, koncepti i ‘smart defence’ nuk përjashton që edhe vende të tjera të rajonit, tashmë anëtar të NATO-s të jenë pjesë e projekteve të përbashkëta. Ky koncept jep mundësi bashkëpunimi dhe jo kërcënimi. NATO ka shumë e më shumë interes që gradualisht të ulë prezencën e saj me trupa në Kosovë duke nxitur kapacitetet shtetërore dhe sigurisht në këtë rast Shqipëria mund të luajë rol të rëndësishëm. Roli në këtë rast i takon zhvillimit të komponentëve të ‘fuqisë së butë’ ku patjetër që kultura strategjike e lidershipit politik është parësore.
Në përfundim. Koncepti i ‘Smart Defense’ midis Shqipërisë dhe Kosovës përfaqëson më shumë sesa një strategji ushtarake; ai është një mundësi për të forcuar kapacitetet pa kërcënuar të tjerët dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt dhe të qëndrueshme për të dy vendet. Ndërsa sfidat janë të njohura dhe kufizimet financiare paraqesin pengesa, potenciali për përfitime të ndërsjellta është i pamohueshëm. Përmes një strategjie të përbashkët dhe projekteve graduale, Shqipëria dhe Kosova mund të krijojnë një model bashkëpunimi që jo vetëm ndihmon në stabilizimin e rajonit, por ofron edhe një shembull për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të tjera të vogla.
*Kristaq Xharo: Prof. Dr. Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Çështjet e Sigurisë në UET