Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Grant Van Cleve thotë se korrupsioni është një nga arsyet pse njerëzit largohen nga vendi.
I ftuar në emisionin “Open” në News24, ai u shpreh se janë të gatshëm të bëjnë pjesën e tyre për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri.
Ai shprehet optimist se gjerat janë drejt përmirësimit, por thekson se ka shumë që mendojnë se nuk ka shpresë, duke i detyruar të largohen.
“Njerëzit emigrojnë! Pavarësisht se unë jam optimist që gjerat janë drejt përmirësimit, por të tjerët që shikojnë edhe më thellë thonë që nuk ka shpresë. Mendoj se korrupsioni është një nga arsyet që njerëzit largohen! Ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë të punës për përmirësimin e klimës”, tha Grant Van Cleve.
I pyetur për çmimet e larta të apartamenteve në Tiranë, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë u shpreh se këto çmime nuk diktohen nga tregu, por nga pastrimi i parave.
“Nuk mendoj që kemi një treg të sofistikuar fatkeqësisht. Kjo është një ndikim i madh i pastrimit të parasë, njerëz që kanë lekë që duan të ndërtojnë dhe apartamentet mbeten bosh dhe çmimi është i lartë. Pra çmimi për metër katror në ndërtim është artificialisht i lartë”, u shpreh Grant Van Cleve