Tatimet po bëhen gati për një aksion kontrolli, pasi rreth 7000 biznese janë të vlerësuara me risk për mosdeklarimin e pagave.
Njoftimin e ka bërë sot institucioni, duke e shpërndarë edhe në rrjetet sociale. Tatimet ftojnë që të gjithë bizneset të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.
“Nëse deklarimi i pagave reale bëhet tani, duke korrigjuar deklaratën në muajin nëntor, subjektet e identifikuara me risk do të përjashtohen nga kontrolli tatimor”, thuhet në deklaratë.
Sipas administratës tatimore, aksioni kundër informalitetit të pagave ka hyrë tashmë në fazën përfundimtare.
Administrata Tatimore identifikoi rreth 37 mijë tatimpagues me risk në fushën e informalitetit të pagave. Tashmë 7000 prej tyre do të kalojnë në sitën e kontrollit tatimor.
Njoftimi i Tatimeve:
“Kontrolli do të nisë për 7,000 tatimpagues të identifikuar me risk, të cilët nuk kanë reflektuar as pas njoftimit të dytë të Administratës Tatimore.
Ftojmë bizneset të deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre! Nëse deklarimi i pagave reale bëhet tani, duke korrigjuar deklaratën në muajin nëntor, subjektet e identifikuara me risk do të përjashtohen nga kontrolli tatimor”.