Dy “të panjohura” dhe e një e tretë pa thonjëza të erës Tramp në Shqipëri

Preç Zogaj

Një numër i madh politikanësh e analistësh në mbarë botën flasin çdo ditë për pasojat dhe të panjohurat e rikthimit të bujshëm të Presidentit Tramp në Shtëpinë e Bardhë.

Nuk pretendoj të marr pjesë në forumet planetare të kasandrave që ngrenë shqetësime e pikëpyetje të logjikshme nisur nga çfarë ka paralajmëruar Tramp në fushatën e tij elektorale. Aq më pak t’u mbaj ison skenarëve apokaliptikë.

Arsyetimi im është i thjeshtë: Tramp ka ardhur në krye me zgjedhje të lira dhe nuk mund të qeverisë jashtë kontrollit të pushtetit nga vota e qytetarëve amerikanë. Edhe po ta ketë këtë tundim, që nuk rrezulton se e ka, do të pengohej nga Senati, Kongresi dhe gjithë arkitektura e shtetit të rrënjosur në parimet e shenjta.
Që tani, në fazën e përzgjedhjes se ekipit, Tramp është ndeshur në kundërshtimin e suksesshëm të senatorëve të partisë së tij ndaj kandidaturave të vlerësuara prej tyre si të papërshtashëm. Rasti më kuptimplotë është ai i kandidatit për postin e Ministrit të Drejtësisë, Matt Gaetz, i cili u tërhoq përballë murit që pa t’i ngrihej nga senatorët e partisë së tij. Çfarë dëshmon se të zgjedhurit nuk janë dele, qen të rrahur, jesmenë a klonime të shefit të madh, por bartës të vlerave të mirëfillta amerikane dhe konservatore.

Duket qartë se Tramp do të ndjekë prioritetet bazë për të cilët është votuar, por kursi nuk ndryshon. SHBA kanë lindur nga demokracia dhe nuk bëjnë dot pa demokracinë. Uashingtoni nuk mund të bëjë vetëvrasje duke përshtatur një regjim autokratik si i ai Putinit në Rusi. Përkundrazi. Përtej retorikave elektorale, të cilat ripërmasohen gjithmonë në qeverisjen reale, nën qeverisjen e Tramp, SHBA-të pritet të kenë një veprim më të fortë në politikën e jashtme. Kjo është një gjë fiziologjike për një vend të madh, fuqia e të cilit është në hapje dhe destini i të cilit është ta udhëheqë botën në rrugën e së mirës.

Entuziazmi për fitoren e Tramp nga kasta politike bipartizane në Tiranë referon pikësëpari dëshirën dhe shpresën që era Tramp të çojë në devijimin e drejtësisë së re, për rrrjedhim në kthimin e pandëshkueshmërisë në sferat e larta. Në afat pak më të gjatë, duke e menduar rikthimin e Tramp si një kushtrim për gjithë autokratët dhe oligarkët politikë të botës dhe duke e imagjinuar rendin e ri botëror si një detantë regjimesh autokratike totalitare, bajraktarëve tanë poltikë u bëjnë sytë xixa duke imagjinuar një të ardhme dinastike sulltanësh.

Nuk ka gjasa që këto të ndodhin. Për të mos shkuar larg dhe duke ua lënë ngjarjeve të lexojnë të ardhmen, po kufizohen vetëm te tri të panjohura, dy në thonjëza dhe një pa thonjëza, që ngërthen era Tramp në vendin tonë.

Në thonjëza kam venë Drejtësinë, një çështje amerikane e drejtëpërdrejtë për Shqipërinë dhe Sigurinë që ka lidhje me ekzistencën e NATO-s, një çështje botërore që na përfshin si vend anëtar.
Pse në thonjëza? Sepse në esencë nuk shihet të ketë të panjohura. Por nuse e re, zakone të reja, thotë shprehja e njohur.

NATO dhe roli i SHBA-së

Ta nisim me NATO-n. Nuk ka asnjë arsye reale që SHBA të provokojnë prishjen e NATO-s me daljen e tyre prej saj. Kërcënimet e vjetra të Tramp kundër vendeve që nuk paguanin kuotën dy përqind të prodhimit të brendshëm bruto për mbajtjen në efiçencë të Aleancës kanë rënë. Shumica dërrmuese e vendeve anëtare, për të mos thënë të gjitha, po shpenzojnë për mbrojtjen sa kuota, madje edhe më shumë se kuota disa syresh. Nga kjo pikpamje “kërcënimi” ka dhenë efekt. Ka ndikuar shumë edhe lufta në Ukrainë, agresioni i paprovokuar i Rusisë kundër një vendi sovran. Aleanca e shteteve autokratike-totalitare si Rusia me satelitet e saj, Irani, Koreja e Veriut, Kina dhe në perspektivë shtete të tjera të Jugut të botës, diktojnë forcimin dhe jo dobësimin a prishjen e NATO-s. NATO është fuqi e SHBA-ve përpara apo po aq sa SHBA është fuqi e NATO-s.

Shqipëria do të mbetet nën ombrellën e saj duke dhënë kontributin që i takon. Kjo do të thotë siguri për vendin tonë. E njëjta gjë për Kosovën, pavarësisht se Kosova nuk është ende në NATO. Por NATO është aty.

SPAK dhe drejtësia e re

“E panjohura” e dytë në thonjëza, ajo që ka lidhje me SPAK dhe drejtësinë e re, ngërthen pritshmëri dhe emocione më të mëdha se sa sa ajo për NATO-n. Kushdo e kupton përse.

Në Tiranë është në zhvillim një si festival analogjesh pa lidhje midis raportit të Tramp me drejtësinë në SHBA dhe akuzave të SPAK kundër zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë të Shqipërisë. Në SHBA përballja e zyrtarëve të lartë e shumë të lartë me drejtësinë është normalitet prej dekadash e shekujsh tashmë. Në Shqipëri s’ka më shumë se tre vjet që ka nisur. Në SHBA drejtësia e pavarur është gur themeli i shtetit që në lindjen e tij. Në Shqipëri është sefte. Në Shqipëri shpresojnë se SHBA do të investohen të kthejnë drejtësinë e vjetër, vartësinë e drejtësisë nga politika, pra të prishin investimin e tyre në vendin e vogël mik. Iluzion! Iluzion! Iluzion!

Reforma në Drejtësi me bashkautorësi amerikane dhe europiane u miratua në verën e vitit 2016 kur Presidenti demokrat, Barak Obama, po i drejtohej fundit të manadatit të tij të dytë e të fundit. Me instalimin e Tramp në Shtëpinë e Bardhë pas fitores në zgjedhjet e nëntorit të atij viti, opozita shqiptare u investua pranë administratës së re trampiste për anulimin e reformës në drejtësi duke iu fatuar autorësinë e saj, Xhorxh Sorosit me shpresë se Tramp do të urdhëronte tërheqjen e SHBA-ve nga kjo vepër djallëzore e armikut të tij. Gjë që do të çonte automatikisht në vdekjen në letër të reformës.

Asgjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi. Administrata e Presidenti Tramp e mbajti si përparësi të politikës së saj me Shqipërinë zbatimin e Reformës në Drejtësi, madje, siç e dinë gjithë shqiptarët, u tregua mjaft agresive ndaj pengesave që nxorën në zbatim PD dhe LSI. Arsyeja e kësaj vendosmërie ishte e thjeshtë: sa i takon pjesës amerikane, reforma jonë në drejtësi kishte lindur si një refleksion i thellë i Uashingtonit për gjendjen në vendin e vogël mik, zyrtarët e të cilit e ushtronin korrupsionin si punën e tyre të parë, duke tundur ironikisht flamurin e SHBA-ve dhe duke u vetëlavdëruar si proamerikanët me të mëdhenj të planetit.

Ky refleksion është aty bashkë me faktologjinë mbështetëse të agjensive amerikane. Dhe bashkë me bilancin tashmë tepër impresionues të SPAK dhe drejtësisë se re gjatë këtyre tre viteve të fundit.
Nuk ka asnjë gjasë që administrata e re e Presidentit Tramp t’i heqë mbështetjen SPAK-ut dhe organeve të drejtësisë së re. Përkundrazi. Siç është në traditën e republikanëve, pritet që mbështetja të jetë më e madhe dhe më e fortë. SPAK do të jetë më i inkurajuar të hetojë skandale dhe afera edhe më të rënda se këto që kanë dalë në dritë deri sot. Nuk do të ketë asnjë të paprekshëm.

“Non grata” e Sali Berishës

E panjohura pa thonjëza që paralajmëruam në krye të këtij shkrimi është heqja apo mbajtja e sanksionimit “non grata” të Sali Berishës nga SHBA. Në kampin demokrat ka entuziazëm dhe pritshmëri të larta se do t’ja heqin. Militantët janë paralajmëruar herët, këtu e tre vjet me parë, se duke qenë saksionimi i Berishës sipas Berishës një vepër e përbindëshit milarder Soros, kur të vijë Tramp do t’ja heqë. Dhe tani Tramp ka ardhur dhe numërimi mbrapsht për të vertëtën ka nisur.
Kundërshtarët politikë të Sali Berishës në Shqipëri janë më shumë se ata që nuk duan që atij t’i hiqet ‘non grata’. Në përgjithësi, kundështarët që janë bërë të tillë pa pritur që ai të sanksionohej, do ta mirëprisnin një akt të tillë. Unë jam një prej tyre.

Po sa gjasa ka që kjo të ndodhë?

Na është thënë se sanksionimi nisi në kohën e Tramp dhe kjo është e vërtetë. Na është thënë se shpalljet ‘non grata’ si një mjet ligor i shtetit amerikan për të goditur korrupsionin, krimin apo veprimtarinë antiamerikane në vende të ndryshme të botës janë akte të mirëmenduara e mirëpeshuara, që dalin nga kryqëzimi i informacioneve të disa departamenteve dhe agjencive të shtetit amerikan. Dhe analiza e tyre.

Nese do të rezultonte se sanksionimi i Berishës është vënë në lëvizje për hakmarrje a interesa të një prej miliarderëve të shumtë të SHBA-ve, siç është Soros, për më tepër në formën e një goditje poshtë brezit me grushtin e fuqishëm të shtetit amerikan, ne do të zbulonin në vend të Qytetit që Shndrit mbi Kodër, siç na pëlqen t’i quajmë SHBA-të, një Amerikë meskinë, vendimarja e së cilës merret zvarrë nga intriga të vogla pallatesh. Personalisht, për ashtu si i kam parë e si i shoh SHBA në qendër dhe në ballë të ngjarjeve botërore e shqiptare, e kam vështirë ta imagjinoj rënien e saj në nivele që bien ndesh me madhështinë e saj.

Duhet të presim e të shohim. Nusja nuk e ka larg të pamët, siç thotë shprehja. Nëse ‘non grata’ i hiqet, Berisha zgjidh nga këmbët një gjyle të madhe në rrugën e mundimshme të rikthimit në pushtet. Në të kundërtën, ai do të humbte pikën më të fortë, pikën e fundit në fakt, të narrativës së tij para të vetëve.

Latest articles

Related articles