Një shtetas izraelit dhe 38 shqiptarë janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës pasi akuzohen për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” kryer në bashkëpunim.
Ky hetim ka zgjatur rreth 3 vite në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare teksa është bërë me dije se këta persona përfitonin vlera të larta monetare përmes një rrjeti Call Center të ndërtuar në formën e platformave fiktive investimesh si “CFD-Tradingplattform” dhe “FX-Leader”.
I shpallur në kërkim është shtetasi izraelit, Rafael Genish, ndërsa dëmi i përllogaritur kalon vlerën e 2 milionë euro. Kjo platformë kishte si aktivitet mashtrimin e personave duke përdorur faqen e internetit “fx-leader.com” dhe duke i nxitur për të investuar pasuritë e tyre në mënyra fitimprurëse me qëllim që ndërmjetësi që i kishte kontaktuar do t’i siguronte viktimës një fitim më të lartë.
Këto para të fituara nga kjo skemë mashtrimi pastroheshin nëpërmjet transferave fiktive të kryera nëpër bankat e vendeve me risk të lartë për pastrim parash, si Malta, India dhe Lituania.
Por ky person nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare. Rafael Genish i është caktuar masa arrest me burg në vitin 2021 pasi akuzohej për mashtrim dhe vjedhje me investime të rreme në bursë përmes FOREX. Ai i mohoi në atë kohë këto akuza pro një letërporosi e ardhur nga Gjermania zbuloi se një Call Center i vendosur në rrugën e “Myslym Shyrit”, kryente aktivitet të paligjshëm.