Haxhi Baba Faik Selmani është ndarë nga jeta nga jeta në moshën 72 vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Haxhi Baba Ardit Selmani me anë të një statusi në rrjetet sociale këtë të premte.
Baba Faiku është cilësuar si një nga figurat me peshë të madhe në radhët e bektashinjve.
Haxhi Baba Faik Selmani ka një kontribut të spikatur në bashkëpunime me Baba Sherif Canometaj, Baba Barjam Mahmutaj, Dede Reshat Bardhin si për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ashtu edhe në ringritjen e objekteve të besimit në Gjyshatat e Gjirokastrës dhe të Elbasanit.
Nderimet e fundit për përcjelljen e tij kanë nisur ditën e sotme në Teqenë e Madhe në Elbasan dhe do të mbahen deri në orën 11 të datës 1 dhjetor.
Njoftimi i Haxhi Baba Ardit Selmanit:
Të dashur besimtarë bektashinj të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, nuk paska gjë më të dhimbshme se të marrësh mbi vete barrën e rëndë dhe t’u njoftoj se baba Faik Selmani ndërroj jetë në datë 29 Nëntor.
Haxhi Baba Faik Selmani, i biri Ganiut dhe i Hanos, ka lindur në fshatin Luftinjë, të qytetit Tepelenë, në 20 Gusht 1942, në një familje me traditë të hershme bektashiane. Gjyshërit dhe prindërit e tij kanë qenë mbështetës të teqeve, sidomos në Koshtan, Maricaj dhe Memaliaj.
Mësimet e para fetare i mori nga Baba Muharrem Allkushi (Gllava), në kohërat që edhe pse komunizmi i egër e ndaloj fenë me ligj, këta çiragë të Haxhi Bektash Veliut mbajtën gjallë tarikatin bektashian, ku në mënyrë të fshehtë, ndiznin qirinjtë në Tyrben e Baba Isuf Horasanit derisa Baba Muharremi ndërroi jetë.
Në vitin 1985, Baba Faiku vijon zhvillimin e traditave fetare islame fshehurazi dhe në bashkëpunim të ngushtë me Baba Sherif Canometi në Elbasan, deri në fillim të viteve 1990 të shekullit të kaluar, kur regjimi u detyra të lejonte riçeljen e besimeve fetare.
Haxhi Baba Faik Selmani ka një kontribut të spikatur në bashkëpunime me Baba Sherif Canometaj, Baba Barjam Mahmutaj, Dede Reshat Bardhin si për rihapjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, ashtu edhe në ringritjen e objekteve të besimit në Gjyshatat e Gjirokastrës dhe të Elbasanit.
Pas një veprimtarie të tillë të spikatur, në vitin 1997 merr titullin “Dervish” nga Kryegjyshi Botëror i asaj kohe, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe emërohet Gjysh në Gjyshatën Elbasan, ku shërben me devotshmëri deri në ditët e sotme.
Haxhi Baba Faik Selmani ka patur fatin të kryejë ceremoninë e Haxhit në Mekë, të vizitojë vendet e shenjta në Qerbela, Bagdad, edhe në Haxhi Bektash të Turqisë, duke u takuar dhe duke fituar simpatinë e personaliteteve të shquar fetarë të këtyre vendeve.
I ndjekur nga qindra myhybë dhe besimtarë dashamirës të tarikatit, Haxhi Baba Faik Selmani ka ndërtuar Teqe dhe Tyrbe në Koshtan, Luftinjë, Zhabokikë 1 dhe 2, Gllavë, Gramsh, Elbasan dhe me gjerë.
Baba Faik Selmani meriton nderin dhe respektin e baballarëve, myhibëve dhe besimtarëve deri në Teqen e Baba Rexhepit në Amerikë.
Nderimet e fundit për përcjelljen e tij, organizohen në Teqenë e Madhe në Elbasan, duke filluar nga ora 14:00 e ditës së sotme, deri në orën 11 të datës 1 Dhjetor 2024.
Zoti e bashkoftë Shpirtin e Tij me Shpirtrat Profetëve dhe Shenjtorëve në Xhenet! Amin