Princ Leka II uron shqiptarët në 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Të dashur bashkatdhetarë,

Sot, në 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë të kaluarën tonë, e cila është ndërthurur me sakrificat dhe përpjekjet e brezave të mëparshëm për liri dhe dinjitet kombëtar. Vendimi i Kuvendit të Vlorës më 28 nëntor 1912 nuk ishte thjesht shpallja e një shteti, por ishte manifestimi i një fryme të qëndresës dhe unitetit që ka ndriçuar rrugën tonë ndër shekuj.

Le të kujtojmë se kjo datë e shenjtë është një ftesë për reflektim, jo vetëm mbi të shkuarën tonë, por edhe mbi të ardhmen që aspirojmë të ndërtojmë. Kujtojmë me krenari kthimin e Gjergj Kastriotit në Krujë më 1443, flamurin që Ismail Qemali ngriti në Vlorë dhe përpjekjet e pandërprera për të mbajtur të pacenuar identitetin dhe lirinë tonë si komb.

Në një kohë kur dhuna në shkolla dhe mungesa e modeleve të shëndosha kërcënojnë të ardhmen e brezave të rinj, duhet të ndalemi dhe të reflektojmë. Politika nuk mund të jetë teatër ambiciesh personale, por duhet të vendosë edukimin, sigurinë dhe mirëqenien në qendër. Shqipëria ka nevojë për udhëheqës që frymëzojnë me vlera dhe ndërtojnë një të ardhme ku rinia ndihet krenare për vendin e saj.

Në këtë ditë madhështore, është me rëndësi të theksojmë rolin e shqiptarëve në diasporë, që ndër shekuj kanë qenë ura lidhëse mes trashëgimisë dhe së ardhmes. Kontributet e tyre janë frymëzim për çdo shqiptar, kudo që ndodhet.

Historia jonë ka dëshmuar se kur jemi të bashkuar, kemi arritur të përballojmë sfida të jashtëzakonshme. Sot, kjo thirrje për unitet është më aktuale se kurrë. Le të punojmë për një Shqipëri të drejtë, të zhvilluar dhe të hapur ndaj mundësive. Vetëm duke mbështetur njëri-tjetrin dhe duke forcuar vlerat e trashëguara nga e kaluara, mund të ndërtojmë një të ardhme që na bën krenarë.

Duke u frymëzuar nga amaneti i të parëve tanë, ne mund ta çojmë përpara flamurin e shpresës dhe të përparimit. Le të ndriçojmë Shqipërinë me dritën e dijes, punës dhe dashurisë për atdheun.

Atdheu mbi të gjitha! 🇦🇱

Me respekt të thellë dhe përkushtim,

Leka II i Shqiptareve

Latest articles

Related articles