Arrestohet në Tiranë “bosi” turk i një rrjeti të trafikut të dr0gës, futi 703 kg her0inë në BE

Një shtetas turk me banim në Holandë u ndalua në Tiranë me akuzën se drejtonte një rrjet ndërkombëtar droge në kuadër të një hetimi të kryer nga prokurorët gjermanë, raporton Deutsche Welle.

57-vjeçari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u ndalua nga policia kufitare shqiptare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës më 23 nëntor. Ai akuzohet se drejtonte një bandë ndërkombëtare që kontrabandonte tonelata heroinë nga Irani në vendet e Evropës Perëndimore nëpërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe.

Autoritetet shqiptare ende nuk kanë vendosur nëse i dyshuari, për të cilin është lëshuar një urdhër-arresti si pjesë e hetimeve të kryera nga Prokuroria Publike e Dresdenit, do të ekstradohet në Gjermani.

Pas ndalimit të tij në Shqipëri, policia holandeze bastisi shtëpinë dhe vendin e tij të punës në Roterdam.

Hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik të Dresdenit dhe Policia Federale Gjermane mbështetet edhe nga organizata evropiane e policisë EUROPOL.

Shtetasi turk i arrestuar akuzohet për organizimin dhe financimin e transportit të 703 kilogramëve heroinë që u sekuestrua nga një anije me kontejnerë që mbante zyrtarisht sapun në Portin e Hamburgut në gusht të vitit 2022. Konfiskimi u regjistrua si sasia më e madhe e heroinës së kapur ndonjëherë në Gjermani.

Në shtator 2022, Policia Federale Gjermane njoftoi se një urdhër arresti ishte lëshuar për një shtetas turko-serb 40-vjeç, një shtetas iranian 35-vjeç, një shtetas gjerman 54-vjeç dhe një shtetas tjetër turk, i dyshuar për lidhje me bandën në fjalë.

Latest articles

Related articles