Sociologu Mërtiri: Berisha vazhdon të jetë nongrata dhe me parti të përçarë

Pas 330 ditësh izolim shtëpiak, Sali Berisha rifitoi lirinë. Kryetari i Partisë Demokratike menjëherë u kthye në seli për të udhëhequr forcën më të madhe politike të opozitës drejt zgjedhjeve parlamentare.

Në selinë blu, Berisha është pritur nga mbështetësit e tij. Në ditën e parë të lirisë, kryetari i PD e bëri të qartë se aksioni politik i opozitës nuk do të ndryshojë dhe mosbindja civile do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Berisha iu drejtua opozitarëve në të gjithë vendin, duke iu premtuar fitore në zgjedhjet e ardhshme.

Por, jo vetëm kaq, kryetari i PD-së nisi punën duke zhvilluar mbledhjen e parë me deputetët e Partisë Demokratike.

Për të diskutuar më shumë për zhvillimet e fundit politike dhe se si do të ndryshojë aksioni opozitar pas rikthimit në seli të kreut të PD-së, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi ishte analisti Ergys Mërtiri.

Z.Mërtiri tha se kreu i Partisë Demokratike është i disavantazhuar në zgjedhjet e ardhshme sepse siç shprehet analisti Berisha vazhdon të jetë nongrata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe partia e tij është e përçarë.

Z.Mërtiri u shpreh se nuk pret që faktori ndërkombëtar të reagojë, sepse nuk ndërhyjnë në vendimet e Gjykatës.

Intervista e plotë:

Në një mjedis ku çdo vendim Gjykate argumentohet apo arsyetohet me teori konspirative, si duhet kuptuar sipas teje kjo që ndodhi sot?

Mërtiri: Unë them se GJKKO ka lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila përcakton se vendimi i parë ishte jopropocional në lidhje me marrjen e passaportës. Për këtë arsye ka shfuqizuar vendimin e SPAK-ut për detyrim paraqitje dhe marrjen e passaportës. Kjo është çështje interpretative, gjithsekush mund të ketë interpretimin e vetë dhe në fakt lë vend për t’u diskutuar. Unë besoj se Z.Berisha ka shkelur një vendim të Gjykatës, pasi nuk ka kryer detyrim paraqitje.

Berisha është i lirë, në kohë të bollshme për të bërë fushatë, 7 muaj para zgjedhjeve. Si e sheh në këto kushte, si e sheh ballafaqimin elektoral?

Mërtiri: Z.Berisha gjithsesi vazhdon të jetë nën hetim dhe nën akuzë. Ka një akuzë e cila ka shkuar në Gjykatë dhe ka çështje të tjera të cilat presin të vazhdojnë hetimin, siç është çështja e 21 Janarit. Z. Berisha është shumë i diavantazhuar, për faktin se partia e tij është e përçarë, vetë ai vazhdon të jetë non grata nga SHBA. Të gjitha këto bëjnë që Z.Berisha të jetë shumë i konsumuar dhe i vështirë për të fituar. Rënia e alibis nuk do i sjellë favor në zgjedhje. Opozita tashmë duke mbajtur një lider që s’ka gjasa të fitojë, pengon gjasat për të prodhuar një figurë të lirë.

Ende nuk ka folur faktori ndërkombëtar, a duhet pritur ndonjë shenjë?

Mërtiri: Nuk pres të ketë reagim. Faktori ndërkombëtar nuk reagon në vendimet e Gjykatës, është në etikën e tyre të punës, por mban qëndrimet e tij politike dhe qëndrimet e tij politike nuk kanë ndryshuar. Z. Berisha vazhdon të jetë non grata.

Në 30 dhjetorin e vitit të kaluar Gjykata e Posaçme vendosi ndaj Sali Berishës masën e sigurisë arrest shtëpie. Prej asaj dite demokratët çdo mbrëmje u mblodhën në rrugën poshtë shtëpisë së liderit të tyre historik dhe vetmja hapësirë komunikimi e kryetarit të PD Sali Berisha ishte dritarja e banesës së tij. Vendimi për lirimin e Berishës u dha sot nga gjyqtarja e Posaçme Flojera Davidhi dhe hyri menjëherë në fuqi. Davidhi është e njëjta gjyqtare që ka në duar edhe një tjetër vendimmarrje ndaj kryetarit të PD-së, atë të dërgimit apo jo në gjyq të dosjes “Partizani”.

Latest articles

Related articles