Nga Ruel Domi, SHBA
Nën ‘jermin’ e lajmeve se administrata e re Trump do jetë pro-serbe dhe anti-shqiptare, vendosa të shkruaja një artikull për të sqaruar opinionin publik. Sipas mendimit tim administrata Trump është lajm i mirë për Shqipërinë dhe politikën e jashtme amerikane që prej vitesh tanimë ka favorizuar faktorin shqiptar.
Analizën time do ta nis me dy emërime të Presidentit të zgjedhur Trump që mendoj se e fuqizojnë faktorin shqiptar në Ballkan. I emëruari si drejtor i agjensisë të inteligjensës ‘CIA’, John Ratcliffe është i njohur për afrimitetin e tij me komunitetin shqiptar. Në vitin 2016, Ratcliffe u ftua nga diaspora shqiptare në një forum ekonomik ku ai thuri lavde për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe u fotografua duke bërë shqiponjën dykrenare. Ky lajm bëri bujë negative në mediat serbe.
Një tjetër emër i rëndësishem i administratës së re Trump është ai i senatorit të Floridës, Marco Rubio, që është nominuar nga Presidenti i zgjedhur Trump për postin e sekretarit të shtetit. Sekretari i Shtetit është rol kyc i administratës si i deleguari i Presidentit për cështjet e politikës së jashtme si dhe avancues i interesave gjeostrategjike amerikane në botë. Rubio është djalë i dy emigrantëve kubanë në SHBA, të cilët i shpëtuan Kubës komuniste të Castros, për të provuar ëndrrën amerikane. Domosdoshmërisht qëndrimet politike te Rubios janë influencuar nga kjo prapavijë familjare: Rubio njihet si mbështetës i fortë i Izraelit, armik i Iranit, kundërshtar i tiranëve komuniste në Amerikën Latine, mbështetës i politikave Amerikane pro-Taivan dhe anti-Kine si dhe mbështetës i bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë së Milloshevicit. Në fakt në një konferencë për rolin amerikan në botë në vitin 2011, Marco Rubio ka folur për forcat ushtarake amerikane si ndalëse të mizorisë në botë duke permendur komunizmin, nazizmin dhe spastrimin etnik serb në Jugosllavinë e viteve 90 si mizori në botën tonë. Ky qëndrim i ashpër ndaj krimeve serbe, i shkon ‘për shtat’ Kosovës dhe faktorit shqiptar.
Mund të konstatohet gjithashtu që Shqipëria është një vend periferik, dhe se fokusi i politikës së jashtme Amerikane është, ka qene, dhe do mbetet, shteti i vetëm hebre në botë: Izraeli. Doemos dhe politika e jashtme Trump është fokusuar tek mbrojtja e Izraelit. Si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, Presidenti i zgjedhur Trump ka zgjedhur Elise Stefanik, një mbrojtëse e fortë e shtetit të Izraelit. Stefanik u bë e njohur per vënien para përgjegjësisë të Presidenteve të shkollave Ivy League në SHBA për neglizhencën e tyre ndaj anti-semitizmit në kampuset e kolegjeve. Në një fjalim para një grupi parlamentar pro-izraelit në Kongresin Amerikan, Stefanik deklaroi se “SHBA duhet t’i ofrojë Izraelit cfarë do, kur e do dhe pa kushte” kur e pyet për luftën e Izraelit ndaj Hamas në Gaza. Një tjetër mbështetës i flaktë i Izraelit në administratën Trump është Pete Hegseth, i zgjedhuri për Sekretar të Mbrojtjes. Në të shkuarën e tij, Hegseth ka konsideruar Amerikanizmin dhe Zionizmin si forca mbrojtëse të qytetërimit Perëndimor. Ne nje libër të botuar nga Hegseth në 2024 të titulluar: “Kryqëzata Amerikane, lufta jonë për të qëndruar të lire”, Hegseth shkruan se nëse dikush “do Amerikën, duhet te dojë dhe Izraelin”
Këto emërime dhe më tepër e favorizojnë Izraelin dhe kauzën Izraelite në Lindjen e Mesme. Pritet qe nën bekimin e administratës Trump, Izraeli të aneksojë Bregun Perendimor si dhe Veriun e Gazës duke permbushur profecinë e partise qeverisëse “Likud” per Izraelin e Madh. Edhe pse jam kritik i ashpër i kolonizimit Izraelit te Bregut Perëndimor dhe bllokadës së Gazës, një Izrael i forte është garanci për faktorin shqiptar në Ballkan. Të kujtojme që ishte administrata Trump që coi Izraelin drejt njohjes së Kosovës në 2020. Gjithashtu duhet teë kujtojmë se Kryeministri Izraelit Netanyahu, bëri thirrjen në vitin 1999 për ndaljen e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosoves. Marrëdhëniet pozitive Shqipëri-Izrael u përforcuan nga ardhja e Presidentit te Izraelit Isaac Herzog ne Tirane në Shtator. Vlen të thuhet se forcimi i faktorit Izraelit në Lindjen e Mesme, është në proporcion të drejtë me forcimin e faktorit shqiptar në Ballkan. Armiku më i madh i administratës Trump dhe i shtetit të Izraelit është Irani. Sipas Departamentit të Drejtësisë, Irani qëndron pas tentativës për vrasjen e Presidentit të zgjedhur Trump në fushatën presidenciale që sapo u mbyll. Të mos harrojmë që Irani qëndron mbrapa sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë në vitin 2022. Nëse administrata Trump ka në fokus mbrojtjen e Izraelit nga Irani, në një kohë kur Irani është i pozicionuar kundër Shqipërisë, Shqipëria dhe faktori shqiptar është i favorizuar nga një administratë e dytë Trump.
Emërime të tjera si RFK Jr për departamentin e shëndetit si emërimi i miliarderit Musk dhe ish kandidatit për President Vivek Ramaswamy në departamentin e ri të krijuar të Eficensës Qeveritare, edhe pse me rëndësi për politikën e brendshme të SHBA-ve, nuk perbëjnë rëndësi gjeostrategjike për Shqipërinë.
Politika e administratës Trump ndaj Ballkanit është me interes për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gjasat janë që administrata e dyte Trump të mos ndryshojë mbështetjen e palëkundur amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, por duhet të presim dhe të shohim!