nga Ergys Mërtiri
Altin Dumani tregoi dje në intervistën e tij në RTSH se çfarë do të thotë të jesh një funksionar i përgjegjshëm. Ai reflektoi kulturën shtetarit të aftë të ngrihet në lartësinë e detyrës. Ai demonstroi profesionalizëm, përkushtim, përgjegjshmëri dhe nivel të lartë etike, qytetarie, modestie, vetpërmbajtjeje e sinqeriteti.
Përballë akuzave banale të bëra nga armiqtë e SPAK-ut, mbushur me gjuhë ordinere shpifjesh, linçimesh, fyerjesh nga më të fëlliqurat, ai vuri si pasqyrë qytetarinë duke treguar para shqiptarëve kontrastin e thellë me ta.
Lufta që opozita ka hapur me Dumanin është vetëvrasëse. Duke akuzuar për korrupsion, pa asnjë provë, pikërisht ata që sot janë nën akuzë për pasuritë e tyre përrallore të krijuara duke abuzuar me detyrën, në fakt thjesht godasin me kokë një mur të pathyeshëm.
Sigurisht, SPAK ka akoma shumë për të bërë dhe shumë gjëra për të korriguar, por ai është i vetmi institucion që po punon me përgjegjësi, pavarësi e profesionalizëm duke ua futur të dridhurat të gjithëve, majtas e djathtas. Pikërisht për këtë arsye ai edhe po luftohet egërsisht nga qeveria dhe opozita bashkë. Ndërsa Berisha akuzon me gjuhën e tij ordinere, Rama e pengon institucionalisht duke ngritur edhe komision parlamentar kundër tij.
Spaku ka bërë që, për herë të parë në 34 vjet, të vihen në bankën e të akuzuarve njerëz të paprekshëm, të paimagjinueshëm se mund të merreshin ndonjeherë në hetim. Për këtë arsye, ai është e vetmja mënyrë që disa njerëz që mbajnë peng prej dekadash këtë vend, të mund të shkulen nga politika për të dhënë llogari para drejtësisë. Kjo bën që Spak-u të jetë i vetmi institucion që jep shpresë se diçka në këtë vend mund të ndryshojë.